89 deputetë kanë votuar pro ndryshimit të Kodit Penal për periudhën e Pandemisë. Mazhoranca ka pranuar disa ndryshime të propozura nga Presidentit Ilir Meta për Kodin Penal.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se janë pasqyruar në ligjin e miratuar rekomandimet e Metës si dhe janë dakordësuar me shumicën dërrmuese të grupeve parlamentare.
Kështu thyerja e karantinës që mund të shkaktojë vdekjen e personit si pasojë e infektimit do të dënohet deri në 8 vite burg dhe jo 15 siç parashikonte mazhoranca më herët.
Më herët gjatë fjalës së tij, kreu i grupit të PS Taulant Balla deklaroi se maxhoranca ka ndërhyrë dhe ka zbutur propozimet dhe ndëshkimet. Balla sqaroi se janë bërë ndryshimet dhe vërejtjet e bëra nga Presidenti Ilir Meta.
“Nenet që do të shtohen në Kodin Penal janë bërë më precize, ndërkohë që është përgjysmuar edhe parashikimi i ndëshkimit me burg, nga 15 vite që ishin në draftin fillestar në 8 vite sipas draftit të dakordësuar. Kështu, sipas propozimeve finale, përhapja me dashje e sëmundjes infektive, përmes kryerjes së veprimeve, apo mosveprimeve dënohet me burg nga 2 deri në 5 vjet, kur është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burg deri në 2 vite. Kur kjo vepër kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin, deri në humbje jetë dënohet nga 3 deri në 8 vite”, tha Balla. /abcnews.al