Policia ka arrestuar një 51-vjeçar nga Kosova, i cili trafikonte armë luftarake dhe lëndëve eksplozive nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Pas hetimeve te kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Forcen e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, arrestuan në flagrancë në rrugën nacionale Elbasan–Peqin, Y. A., 51 vjeç, lindur në Kacandoll dhe banues ne Podujevë, Kosovë.
Policia bën të ditur se 51-vjeçari u kap duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, si dhe identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar. Nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera./ABC News Albania 24/7