Dalin detaje të reja në dritë nga vdekja e të riut në Durrës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mësohet se viktima e Erjon Beli, 30 vjeç, nuk ishte vetëm në makinë në momentin e përplasjes.
Raportohet se së bashku me të ka qenë edhe i vëllai, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime. Dy vëllezërit ishin duke udhëtuar me makinë dhe po flisnin me kamer në telefon në momentin e përplasjes.
Beli ka humbur kontrollin e makinës tip “Renault Clio” me targa AA 477 YN me të cilën po udhëtonte dhe është përplasur me trafikndarësen. I riu nga Kavaja kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Italia, pasi jetonte me familjen atje, ndërsa punonte si këngëtar në lokale nate.
“Më datë 01.11.2019, rreth orës 00:20, në aksin rrugor Plepa-Shkozet, Durrës, mjeti tip ”Renault”, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen, dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi mjetit shtetasi E.B., 30 vjeç, banues në Kavajë. Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.