Maicon festoi 39-vjetorin e lindjes në muajin gusht, por nuk ka ndërmend t’i japë fund me futbollin. Ish-anësori i djathtë, i cili shkëlqeu për disa vite të mira tek Interi dhe Brazili, duke qenë një ndër më të mirë në planet në pozicionin e tij, mund të kthehet në Itali.
E ardhmja e tij pritet të jetë Sona Calcio, skuadër që garon në Serie D të futbollit italian. Drejtori sportiv i klubit veronez, Claudio Ferrarese konfirmon për PadovaSport.tv negociatat me brazilianin e famshëm.
“Gjithçka është e vërtetë, ideja për të marrë Maicon lindi një muaj më parë. Ka akoma gjëra për t’u zgjidhur, por e konfirmoj se po bisedojmë me lojtarin.
Maicon po luan akoma, ndodhet në gjendje të mirë fizike pavarësisht 39 viteve që ka mbi supe. Ai ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Itali, pasi ka edhe disa biznese në Milano.
Ai mendon të jetojë në Verona dhe pritet të luajë disa muaj me ne: nga dhjetori deri në fund të sezonit. Do të ishte një ëndërr nëse vjen të luajë te Sona“, deklaron Ferrarese. /abcnews.al