Mahsa Amini dhe Elon Musk janë ndër të nominuarit e Parlamentit Evropian për Çmimin Zakharov

schedule19:07 - 20 Shtator, 2023

schedule 19:07 - 20 Shtator, 2023

Mahsa Amini, e cila u bë një ikonë e lëvizjes së grave në Iran pas vdekjes së saj në vitin 2022, dhe Elon Musk janë ndër figurat e nominuara për çmimin Zakharov, nderimi më i lartë i Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.

Tre grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët dhe Renew (Qendrat dhe Liberalët) propozuan që Çmimi Zakharov për Lirinë e Mendimit t’i jepet Mahsa Amini dhe lëvizjes “Gruaja, Jeta, Liria” e cila filloi pas vdekjes së saj. Ky nominim konsiderohet kështu si favorit për çmimin, për të cilin kandidat është edhe Elon Musk.

22-vjeçarja Mahsa Amini, një iraniane me origjinë kurde, vdiq më 16 shtator 2022, disa ditë pasi u arrestua nga policia e moralit pasi nuk e mbante shaminë e saj “si duhet” siç kërkohet nga kodi i rreptë i veshjes i Iranit.

Fituesi i çmimit Zakharov do të shpallet në tetor dhe çmimi do të bëhet në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg në dhjetor.

Grupi politik i ekstremit të djathtë Identity and Democracy, i cili përfshin parti të tilla si Alarm Kombëtar i Francës, Lidhja e Italisë dhe AfD e Gjermanisë, ka emëruar Elon Musk, pronarin e platformës X, si kandidat.

Të nominuar të tjerë për çmimin Zakharov 2023 janë “populli pro-evropian i Gjeorgjisë”, aktivistja për klimën Vanessa Nakate nga Uganda dhe “gratë që luftojnë për abort të lirë, të sigurt dhe të ligjshëm” (Justyna Widrinska nga Polonia, Morena Herrera nga Salvadori dhe amerikanja Colleen McNichols). Dy propozimet e fundit u paraqitën nga të Gjelbërit dhe të Majtës Radikale.

Çmimi “Për Lirinë e Mendimit” mban emrin e fizikanit bërthamor dhe disidentit rus Andrei Zakharov, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në 1975.