Magjia e punimeve palestineze me dorë në një faqe interneti

schedule15:15 - 20 Gusht, 2023

schedule 15:15 - 20 Gusht, 2023

Zain Masrit i kujtohet mirë gëzimi kur në moshën shtatë vjeç qëndisi motivin e parë me punim kryqi. “Kur kaloja pushimet tek gjyshja në Jordani, qendisja u kthye me vite në aktivitetin tim të preferuar,” tregon 31-vjeçarja në bisedë me Deutsche Wellen.

Me kalimin e viteve punimet e dorës e humbën domethënien për vajzën e re. Por gjatë pandemisë së Coronës, ajo, tashmë eksperte marketingu që jeton në Dubai, iu kthye traditës familjare të qëndisjes së motiveve palestineze me punim kryqi.

“Gjatë kësaj kohe unë gjeta frymëzim tek komunitetet digjitale të punimeve me dorë,” tregon ajo për Deutsche Wellen. Por ajo pa se shumë njerëz të interesuar nuk gjejnë punime me rezolucion të lartë, që të mund t’i përdorin si modele, sepse ato mungojnë. Prandaj ajo mendoi të merret me këtë gjë.

“Duhet të krijohet një vend për modele të digjitalizuara, që të jenë në gjendje të printohen dhe të jenë falas, sepse kemi të bëjmë në këtë rast me trashëgimi kulturore,” tha Masri me veten e vet dhe vendosi që të mos presë më, por të merret vetë me krijimin e një banke të dhënash para se dikush tjetër të merret me të.

Mijëra orë në kompjuter

Gati 25 vjet pasi mësoi nga gjyshja tatreez-in, qëndisjen tradicionale të Lindjes së Mesme, Masri krijoi Tirazain, bankën e parë të të dhënave me modele tradicionale palestineze të qëndisjes me kryq. Ajo përgatiti po ashtu informacionet për origjinën dhe karakteristikat estetike të modeleve. Motive tipike janë për shembull palmat, modelet me dhëmbëzime me ngjyra të ndryshme ose të tilla që i ngjajnë tullave të Malit të Tempullit në Jeruzalem.

Modelet tradicionale bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore të palestinezëve
Modelet tradicionale bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore të palestinezëveFotografi: Courtesy of Zain Masri

Por krijimi i bankës së të dhënave kërkoi më shumë kohë se sa u mendua fillimisht. Meqenëse asnjë nga opsionet ekzistuese të softwareve të digjitalizimit nuk kishte precizionin e duhur për të deshifruar automatikisht çdo kalim gjilpëre, Masri bëri kalimin manual të motiveve në katroret digjitale.

“Unë kam punuar mijëra orë për digjitalizimin e motiveve, gjilpërë për gjilpërë,” thotë ajo. Por tani modelet mund të shkarkohen në kompjuter dhe të printohen.

Ndërkohë banka e të dhënave krijuar më tetor 2021, por hapur zyrtarisht këtë verë ka të gatshme mijëra modele. Sipas statistikave të përdoruesve, mijëra vetë klikojnë çdo ditë. Dhe komuniteti është duke u zgjeruar.

Qëndisjet palestineze ‘trashëgimi kulturore shpirtërore’

Qëndisjet me kryq në veshje dhe pëlhurë kanë traditë të gjatë në gjithë Lindjen e Mesme, dhe gjetjet e hershme arkeologjike mbërrijnë deri në periudhën e Egjiptit të vjetër, por punimet palestineze me dorë kanë një rëndësi të veçantë. Kështu mendon edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën (UNESCO), që e futi në vitin 2021 artin palestinez të qëndisjes në listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore të njerëzimit.

“Në kulturën palestineze qendisja është përdorur gjithnjë si teknikë për të treguar histori,” thotë Masri. “Në bazë të llojit të qëndisjes dhe ngjyrës së perit mund të dallohet me saktësi nga vjen gruaja që e ka qendisur, a është e martuar apo beqare, a ka fëmijë, është e ndarë apo e ve.”

Biografi të qendisura

Nëse një grua martohet, atëherë fustani më i rëndësishëm i saj, që shpesh ka qenë edhe fustani i vetëm qëndiset me pe të kuq. Kur gruaja pret të bëjë fëmijë, fustani rregullohet përkohësisht duke e zgjeruar me copa pëlhure anash, kurse gjatë dhënies së gjirit fëmijës hapet tek gjoksi.

Modelet tradicionale bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore të palestinezëve
Modelet tradicionale bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore të palestinezëveFotografi: Courtesy of Zain Masri

“Kur gruaja ndahej nga burri ose mbeste e ve, fustanit i shtohen motive me ngjyrë të errët. Në këtë mënyrë fustani tregon gjithë historinë e jetës së gruas”, thotë Masri. “Këta fustanë janë kthyer në thesarë të familjeve, sepse tregojnë gjithë biografinë e tyre.”

Tek burrat palestinezë nuk ekziston një traditë e tillë. Gjatë martesës ata mbajnë vetëm një shami dore të qendisur. Sipas zakonit, kjo shami është qendisur nga e fejuara.

Sende të tjera tipike të qendisura të pajës kanë qenë këllëfët e jastekut, ose artikuj dekorativë për shtëpinë. Zain Masri, e cila ka lindur në Shtetet e Bashkuara tregon dy jastekët e qendisur me punim kryq që ndodhen në divanin e dhomës së ndenjes së saj. “Mua më pëlqen shumë arti tekstilit. Këto të dyja janë shumë të bukura.”

Projekte digjitale për gratë e botës arabe

Tirazain është projekti i parë privat i Zain Masris. Ai u vlerësua gjatë Anthem Awards të këtij viti me çmim për angazhimin më të mirë lokal në fushën e arsimit, artit dhe kulturës. Por, projektet e saj për nxitjen e kompetencës digjitale dhe vetëvendosjes ekonomike të grave arabe nuk tërheq vëmendjen për herë të parë.

Me programin e saj për ndërmjetësimin e aftësive digjitale “Maharat min Google” (“Aftësi Google-si “) ajo ka mbërritur tek dy milionë vetë në Lindjen e Mesme. Projekti i saj në You-Tube, Balata, që prezanton qindra sipërmarrëse arabe, gëzon emër të mirë në hapësirën arabofolëse. Masri, që jeton prej 2009 në Dubai, u fut pak më parë në listën Forbes të 30 personave më me ndikim në botë që ndodhen nën moshën 30 vjeçare, si dhe në listën përkatëse arabe të Fondacionit Arab America. Ajo është emëruar po ashtu avokate e grave të OKB, dhe Youth Fellow e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në projektin e fundit, Masri mendoi shumë për dy gjyshet e saj që jetojnë në Jordani. “Unë e di që ato nuk mund të punojnë me bankën e të dhënave. Por, kur unë u tregova disa nga punimet e mia, ato i dalluan dhe i pëlqyen menjëherë motivet”, thotë Masri. “Tradita jonë familjare jeton ende, online dhe offline”./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!