Gugash Magani ka thurur elozhe për Adolfo Sormanin, trajnerin e Partizanit. Peqinasi, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News”, zbuloi se ka studiuar librat që italiani ka shkruar dhe thekson se janë perfekt. Ai foli edhe për Gegën, që e nxori vjet Partizanin kampion.
“Nuk mund të gjykoj vendimin e presidentit për trajnerin. Po ju them vetëm kaq. Një fjalë është që fituesi nuk gjykohet. Gega bëri maksimumin dhe e nxori ekipin kampion pas shumë vitesh. Personalisht nuk e njoh trajnerin Lerda, e njoh nga larg”, tha fillimisht trajneri i Besës së Kavajës.
“Sormanin e njoh shumë mirë, pasi është një metodist shumë i mirë. Para disa vitesh ka botuar dy libra. Kjo ka ndodhur para 6-7 vitesh. Trajnerin e mban rezultati, por për mua ai është një i ditur. Atë që kam studiuar te librat e atij, kur isha një trajner i ri, është një perfeksion. Edhe sot është perfeksion, edhe sot që kam eksperiencë”, shtoi peqinasi.
Në diskutimin e bërë për largimin e Sormanit herën e parë, u tha se ndodhi për shkak të raportit që ai kishte me “gjeneralët” e ekipit. “Gjeneralët të rrinë mirë, duhet të jenë ushtarë. Gjeneralë janë ata që kanë spaleta, gjeneral është trajneri në një skuadër.
Presidenti duhet t’ia japë gjithë tagrin trajnerit. Gjeneralët duhet të nxjerrin skuadrën kampion. Kush nuk e nxjerr janë gjeneralë pa spaleta. Nëse duam të bëjmë futbolli, gjeneral duhet të jetë trajneri. Mua asnjë president nuk më ka ndërhyrë”, tha Magani.
Ai u ngacmua nga moderatorja Einxhel Shkira në lidhje me zërat që e kanë lidhur atë me Partizanin dhe Tiranën: “Sa di unë, Partizani jo. Tirana po, edhe pse nuk kemi rënë dakord. Kanë qenë fjalë gazetash, kontakt s’kemi pasur asnjëherë. Asnjëherë nuk kanë ardhur tek unë, kanë qenë dëshira. Kontakte s’kemi pasur, të jem i sinqertë”. /abcnews.al