Në një intervistë të rrallë, presidenti Nikolas Maduro ka akuzuar homologun amerikan Donald Trump, duke e cilësuar kreun e një bande ekstremistësh, që synon pushtimin e Venezuelës. Duke folur për BBC, Maduro ka akuzuar gjithashtu Uashingtonin se po përgatit ndërhyrjen ushtarake në vendin e tij.
Presidenti në fuqi i Venezuelës, Nikolas Maduro ka kritikuar ashpër administratën e presidentit Donald Trump, duke e quajtur atë një “bandë ekstremistësh” dhe ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për krizën në vendin e tij. Në një intervistë për BBC, Maduro ka deklaruar se Uashingtoni zyrtar po nxit luftën vetëm e vetëm për të pushtuar Venezuelën.
“Shpresoj që ky grup ekstremist në Shtëpinë e Bardhë të mposhtet nga opinioni publik mbarëbotëror”, ka deklaruar Maduro në intervistën e rrallë.
Nga Karakasi, ai ka thënë për gazetaren e BBC, Orla Guerin se kriza në Venezuelë është një luftë politike e perandorisë amerikane, e përbërë nga interesat e supremacistëve të bardhë që drejtojnë Shtëpinë e Bardhë dhe që synojnë të pushtojnë Venezuelën. Presidenti i vendit latin ka refuzuar edhe një herë ndihmat e dërguara nga Shtetet e Bashkuara, duke nënvizuar se qeveria e tij ka mjaftueshëm kapacitete për të plotësuar nevojat e popullsisë dhe të mos i lypë për ndihmë askujt.
“Shtetet e Bashkuara synojnë të krijojnë një krizë humanitare në mënyrë që më pas të justifikojnë ndërhyrjen e tyre ushtarake”, ka theksuar Maduro. Për kreun e shtetit, gjithçka është pjesë e një maskarade.
“Prandaj, me gjithë dinjitetin tonë u them se nuk i duam thërimet e tyre, ushqimin e tyre toksik, apo mbeturinat e tyre”, ka vijuar Maduro.
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës ishin përkeqësuar që përpara se presidenti Donald Trump të bëhej i pari lider ndërkombëtar që njihte liderin e opozitës venezueliane Huan Guaido’ si liderin legjitim të vendit. Gjithashtu, Karakasi zyrtar shkëputi marrëdhëniet diplomatike si reagim ndaj deklaratës së Trump se, opsioni ushtarak për Venezuelën ishte i hapur./abcnews.al