Një statujë prej druri dhe dylli e mbretit Filip të Spanjës del në shitje në Madrid. Por organizatorët e ankandit thonë se ai që do ta blejë për të paktën 200 mijë euro, duhet ta shkatërrojë statujë brenda një viti.
Një statujë e mbretit të Spanjës Filip del në ankand. Ajo ndodhet në ekspozitën e artit “Arko” në Madrid, është 4 metra e lartë dhe çmimi nis nga 200 mijë euro.
Statuja është prej druri dhe dylli, por për shitjen e saj ekspozita ka vënë një kusht, ai që do ta blejë duhet t’i vërë flakën brenda 1 viti dhe kur ta bëjë këtë gjë duhet ta filmojë. Statujës i është vënë emri “Ninot”, si kukullat që digjeshin qindra vite me parë në Valencia gjatë festimeve.
Sipas ekspertëve djegia e skulpturës është një formë arti. Njëri prej organizatorëve të këtij eventi është shprehur se janë në kërkim të një koleksionisti që nuk është i fiksuar pas veprës, por që të kërkojë shkatërrimin e veprës së blerë.
Pas pikturës “Vajza me tullumbace”, e cila ishte piktura e parë që u shkatërrua menjëherë pas shitjes në ankand, me qëllimin e vetëm për t’i rritur vlerën më shumë, kjo është vepra e dytë që ka si kusht për blerjen, shkatërrimin e saj nga blerësi.
Vetë mbreti Filip me bashkëshorten e tij e vizituan ekspozitën javën e kaluar, por nuk qëndruan para kësaj statuje./abcnews.al