Macron viziton Beogradin në Dhjetor

schedule15:26 - 21 Nëntor, 2018

schedule 15:26 - 21 Nëntor, 2018

Presidenti francez konfirmon se në Dhjetor do vizitojë Serbinë, përmes një letre dërguar homologut Vuçiç. Sipas mediave franceze, kreu i Elizesë do të bindë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë Serbinë në 5 dhe 6 Dhjetor. Lajmi është konfirmuar nga kreu i Elizesë në letrën zyrtare dërguar homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç. Në letër, Macron falenderoi presidentin serb për praninë e tij, në Paris më 11 Nëntor, në festimet e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Ndërkohë mediat franceze raportojnë se ideja me të cilën Macron do të vizitojë Serbinë është pikërisht mbështetja e planit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës.

Radio franceze RFI, në analizën e saj këmbëngul se Macron do të inkurajojë Beogradin zyrtar që të njohë pavarësinë e Kosovës. Pas vitesh të tëra pasiviteti, diplomacia franceze duket se ka vendosur të përfshihet në çështjet e Ballkanit, e sidomos në negociatat e vështira për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, vijon më tej analiza e Radio France International.

Ndër të tjera Macron beson se do të bindë Gjermaninë që të ndryshojë qëndrimin e saj përsa i përket idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Sipas të dhënave aktuale, përfundon analiza, veriu i Kosovës ku pjesa më e madhe e popullsisë është serbe, do të shkëmbehet me një pjesë të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë ku shqiptarët përbëjnë mazhorancën e popullsisë. Gjithsesi kjo ide rrezikon të shkaktojë një konflikt të ri në rajon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!