Mediat franceze i kanë kushtuar një hapësirë të gjerë vizitës së presidentit francez Macron në Beograd në datat 5 dhe 6 Dhjetor. Nga ana e tij homologu serb Vuçiç i ka premtuar një pritje madhështore për t’i treguar se si serbët e nënkuptojnë miqësinë.
Presidenca franceze konfirmoi vizitën e kreut të shtetit francez Emmanuel Macron në Serbi në datat 5 dhe 6 Dhjetor. Mediat franceze kanë pasqyruar gjerësisht lajmin duke theksuar se një nga objektivat e kësaj vizite është përforcimi i miqësisë mes Parisit dhe Beogradit. E përditshmja franceze “20 minuta” shkruan se marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan në 11 Nëntor, gjatë ceremonisë në Paris për 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Arsyeja sipas palës franceze ishte një gabim në protokoll, pas të cilit ishin të shumtë serbët që kundërshtonin vizitën e Macron në Beograd.
Shumë prej tyre, sipas mediave franceze, pas atij evenimenti, theksonin se vendi i tyre kishte numrin më të madh të viktimave në shkallë popullsie, gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa luftonte krah për krah me francezët në frontin lindor. Artikulli përmend dhe refuzimin e Francës për të ekstraduar Ramush Haradinaj në Beograd në Prill të 2017-s, refuzim i cili shkaktoi pakënaqësi tek serbët.
Më tej shtohet se serbët nuk e kanë falur Francën, e cila u bë pjesë e fushatës ajrore perëndimore në vitin 1999 kur NATO vendosi të bombardonte Serbinë në përfundim të konfliktit në Kosovë, duke i detyruar autoritetet serbe që të tërhiqnin trupat ushtarakë nga Kosova. Në shkrim thuhet se ky operacion ushtarak i NATO-s mbetet një poshtërim i madh për shumë serbë dhe ftohja e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Francës, u shoqërua dhe nga dobësimi i marrëdhënieve ekonomike.
Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti francez në Serbi që kur Zhak Shirak vizitoi Beogradin në 2001, pak muaj pas rrëzimit nga pushteti i Slobodan Milosheviç. Janë me qindra kompanitë franceze në Serbi, që kanë punësuar rreth 10 mijë persona, pro Franca renditet e 10 në listën e eksportuesve, dhe ndryshe nga Gjermania e Italia, Franca është një partner i vogël i vendit në tregti.
E përditshmja “La Krua” shkruan gjithashtu për vizitën e Macron duke listuar tre takimet kryesore ndërkombëtare të presidentit francez këtë javë, duke përmednir dhe bisedimet me Jemenin, apo pjesëmarrjen në parlamentin britanik për Brexit. E përditshmja shton se Vuçiç ka premtuar një mirëseardhje madhështore për Emmanuel Macron, për ti treguar se çfarë është mikpritja e serbëve dhe se si ata e kuptojnë miqësinë./abcnews.al