Macron thirrje Iranit: Të shmanget përshkallëzimi në Lindjen e Mesme

schedule20:40 - 7 Gusht, 2024

schedule 20:40 - 7 Gusht, 2024

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje të mërkurën homologut iranian, Masud Pezeshkian, “të bëjë gjithçka për ta shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak” në Lindjen e Mesme, njoftoi Presidenca franceze.

“Një përshkallëzim ushtarak nuk do të ishte në interesin e askujt, as të Iranit, dhe do ta dëmtonte stabilitetin afatgjatë në rajon”, i tha Macroni Pezeshkianit gjatë një bisede telefonike, sipas njoftimit, shkruajnë mediat e huaja.

Macron bëri thirrje të ndalet “logjika e hakmarrjes” dhe të “mbrohen popullsitë civile”.

Frika për një përshkallëzim ushtarak midis Iranit dhe Izraelit është rritur pas vrasjes së Ismail Haniyeh, udhëheqësit politik të grupit militant palestinez Hamas, në Teheran javën e kaluar.

Irani dhe Hamasi e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e tij. Haniyehu ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e Pezeshkianit.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!