Macron shtyn riformatimin e kabinetit

schedule23:34 - 10 Tetor, 2018

schedule 23:34 - 10 Tetor, 2018

Pavarësisht valës së kritikave, presidenti Emanuel Makron ka vendosur të shtyjë ndryshimet në kabinetin e tij. Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë franceze ka mohuar përçarjen e mazhorancës parlamentare.

Presidenti francez Emanuel Makron ka shtyrë të mërkurën riformatimin e qeverisë, një lëvizje që ka ngritur dyshime mbi eksperiencën politike të partisë së tij dhe aftësinë e vetë kreut të shtetit për të mbajtur në këmbë administratën pas një serie dorëheqjesh. Makron dhe kryeministri i tij kanë më shumë se një javë që shqyrtojnë ndryshimet në kabinet, pas largimit të tre ministrave që nga fundi i gushtit, përfshirë ministrin e Brendshëm Zherard Kolomb, që ka qenë dhe mbështetës i Makron. Presidenti 40-vjeçar po përballet me sfida të shumta. Ai jo vetëm duhet të ruajë balancën mes së majtës dhe së djathtës që e bëri vulën e politikës së tij, por edhe të gjejë kandidatë dinjitozë nga një grup i vogël besnikësh pa eksperiencën e duhur.

“Presidenti dëshiron të shfrytëzojë kohën në mënyrë që të ngrejë një ekip të ri në mënyrë të moderuar dhe profesionale”, thuhet në një deklaratë për shtyp të pallatit Elize. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë Benzhamë Grivo, anëtar i rrethit të ngushtë të Makron, mohoi zërat për mosmarrërveshje në radhët e administratës. “Nuk ka asnjë përçarje në qeveri dhe as në shumicën parlamentare për drejtimin politik që po ndjekim”, ka deklaruar Grivo. Ministrat ishin në pritje të komunikimit të ndryshimeve pas një takimi të zhvilluar mëngjesin e së mërkurës, por selia presidenciale bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë ndryshim pa u kthyer Makron nga një vizitë në Armeni, të premten mbrëma./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!