Si çdo fundviti, liderët botërorë kanë mbajtur fjalimet tradicionale për popujt e tyre. Në Paris, Emmanuel Macron u ka dërguar një paralajmërim ekstremistëve që sipas tij keqpërdorin protestat e popullit. Ndërsa kancelarja Angela Merkel ka premtuar se gjatë 2019-s Gjermania do të luajë një rol më vendimtar për zgjidhjen e sfidave globale.
Ndërrimi i viteve u ka shërbyer liderëve botërorë të përcjellin mesazhet e tyre, secili sipas prioriteteve të veta. Presidenti francez Emmanuel Macron e përdori fjalimin vjetor për t’u dërguar një paralajmërim elementëve radikalë në protestat anti-qeveritare. Macron premtoi se kabineti i tij do të ruajë rendin pa bërë kompromise dhe i cilësoi protestuesit që propagandohen si përfaqësues të popullit përfaqësues të urrejtjes.
“Në fakt, ata janë zëdhënës të një turme të nxitur nga urrejtja, që sulmon politikanët e zgjedhur, forcat e sigurisë, gazetarët, hebrenjtë dhe të huajt”, tha Macron.
Në Berlin, kancelarja Angela Merkel deklaroi se gjatë 2019-s Gjermania do të luajë një rol më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Merkel tha se aleancat tradicionale të Europës ndodhen nën presion, ndaj dhe është e nevojshme që Gjermania të marrë përsipër më shumë përgjegjësi. Gjithashtu, gruaja e hekurt e Europës nënvizoi se sfidat ndërkombëtare si ndryshimet e klimës, emigracioni dhe terrorizmi nuk mund të zgjidhen individualisht.
“Këtyre sfidave do të mund t’iu dalim për zot vetëm nëse bashkohemi dhe bashkëpunojmë me aktorë të tjerë jashtë kufijve tanë”, tha Merkel.
Duke qenë se në 2019 dhe 2020 vendi i saj do të ketë një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Merkel shtoi se Gjermania do të luftojë për zgjidhje globale. Ndryshe nga vitet e tjera, kur ndiqej vetëm nga audienca e brendshme, fjalimi i Kim Jong Un këtë herë u ndoq edhe vëzhgues ndërkombëtarë jashtë Koresë së Veriut. Në fjalimin tradicional, Kim Jong Un paralajmëroi se Peniani do të rishikojë politikën e tij të armatimeve nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin dorë nga sanksionet.
“Nëse Amerika nuk e mban premtimin e bërë në sy të gjithë botës dhe vazhdon me sanksionet ndaj republikës sonë, atëherë nuk do të na mbetet tjetër veçse të gjejmë një mënyrë të re për sigurinë e sovranitetit tonë”, tha Kim.
Por Macron, Merkel dhe Kim nuk ishin të vetmit që paralajmëruan ndryshime në politikat e tyre. Më herët, ndonëse jo përmes fjalimit tradicional, presidenti Donald Trump njoftoi se tërheqja e trupave amerikane nga Siria do të jetë e ngadaltë, ndryshe nga sa kishte thënë më parë. Ndërsa presidenti rus Putin, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin, u dërgoi një letër kancelarive në Uashington dhe Londër, ku shprehej i hapur për dialog./abcnews.al