Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti francez, Emmanuel Macron këtë të martë pritet që të takohen në rezidencën zyrtare presidenciale, në Pallatin Elysee. Mediat vendase shkruajnë se kryeministrja Meloni do të vizitojë Parisin për të promovuar kandidaturën e Romës për organizimin e Expo 2030.
Expo 2030 është një panair botëror që do të mbahet në vitin 2030.
“Marrëdhëniet dypalëshe që bashkojnë Francën dhe Italinë, kryesisht zbatimin e Traktatit të Quirinale, por edhe çështjet ne Bashkimin Evropian dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën, do të jenë temat kryesore në tryezën e bisedimeve”, sipas një deklarate të lëshuar nga presidenca franceze.
Ndër të tjera në këtë takim pritet që të diskutohet edhe në lidhje me samitin e NATO-s në Vilnius në korrik.
“Takimi, do të shërbejë për përgatitjen e samitit të NATO-s në Vilnius, më 11 dhe 12 korrik. Shkëmbimi i ideve do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar mbështetjen e përbashkët për Ukrainën për çështjet ushtarake, humanitare, ekonomike, diplomatike dhe gjyqësore”, thuhet në deklaratë. /abcnews.al