Emmanuel Macron ka rritur edhe më shumë tensionet me Britaninë duke paralajmëruar se mosmarrëveshja mbi të drejtat e peshkimit është një provë e besueshmërisë globale të Mbretërisë së Bashkuar. Macron tha për Financial Times se rikthimi i Britanisë së Madhe ndaj angazhimeve të Brexit “nuk është shenjë e besueshmërisë”, shkruan BBC
Komenti i Macron vjen në mes të një mosmarrëveshjeje midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës mbi të drejtat e peshkimit pas Brexit. Kryeministri Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të bënte “çfarëdo që është e nevojshme për të mbrojtur interesat e Mbretërisë së Bashkuar” dhe se ka frikë se marrëveshja tregtare BE-MB mund të jetë shkelur.
Konflikti, i cili filloi kur Mbretëria e Bashkuar dhe Jersey refuzuan licencat e peshkimit për dhjetëra varka franceze muajin e kaluar, qëndron mbi atë se sa anije peshkimi franceze lejohen të peshkojnë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar. Presidenti francez, foli përpara samitit të G20 në Romë, duke iu referuar konflikteve rreth peshkimit dhe mosmarrëveshjeve mbi Irlandën e Veriut.
Macron tha: “Mos gaboni, kjo nuk është vetëm për europianët, por për të gjithë partnerët e tyre. “Sepse kur kaloni vite të tëra duke negociuar për një traktat dhe më pas disa muaj më vonë bëni të kundërtën e asaj që u vendos për aspektet që ju përshtaten më pak, kjo nuk është një shenjë e besueshmërisë suaj.”
Franca ka deklaruar se mund të ndalojë anijet e Mbretërisë së Bashkuar që zbarkojnë në portet e saj nëse mosmarrëveshja për licencat nuk zgjidhet. Ministri i Brexit Lord Frost i tha BE-së se qeveria mund të nisë “procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve” nëse Franca vazhdon me kërcënimet e saj për të drejtat e peshkimit, raporton abcnews.al
Kërcënimet për të “ndërprerë peshkimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe tregtinë më të gjerë, për të kërcënuar furnizimet me energji…do të jenë një shkelje e Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit nga ana e Bashkimit Europian,” tha Nr. 10.
Ndërkohë, kryeministri francez Jean Castex i ka bërë thirrje BE-së nevojitet “vendosmëri totale” për ta bërë Mbretërinë e Bashkuar t’i përmbahet marrëveshjeve në lidhje me peshkimin dhe “të rikthejë besimin”. “Është thelbësore t’i tregohet qartë opinionit publik europian se respektimi i angazhimeve të marra nuk është i negociueshëm,” shtoi ai.
Jean-Marc Puissesseau, president dhe kryetar i porteve të Calais dhe Boulogne, tha për programin BBC Radio 4 se mosmarrëveshja kishte të bënte vetëm me rreth 40 varka, “një pikë uji në një oqean”.
Ai tha se këto varka nuk ishin në gjendje të vërtetonin historinë e tyre të peshkimit në ujërat britanike mbase sepse nuk kanë pasur mundësinë të merrnin pjesë në një studim monitorues ose sepse peshkatari i ka zëvendësuar varkat e tyre me modele më të reja.
Nëse Franca vazhdon me sanksionet, “do të jetë e tmerrshme për të dyja anët e Kanalit, për ju, për ne, për portet, për peshkatarët në vendin tuaj, për peshkatarët në vendin tonë dhe bëhet fjalë vetëm për 40 varka të vogla që nuk lejohen të peshkojnë në vendin tuaj”, përfundoi ai.
/abcnewsa.l