Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për rregullim më të rreptë të platformave dixhitale, pasi tha se kompania amerikane e mediave sociale Facebook refuzoi të hiqte një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që pretendonte në mënyrë të rreme një grusht shteti në Paris.
Macron denoncoi atë që ai e përshkroi si “pafuqi” e autoriteteve përballë dezinformimit online, pasi videoja e cila pretendonte se një kolonel kishte marrë pushtetin në Francë, mblodhi më shumë se 12 milionë shikime në Facebook.
Duke folur gjatë një takimi me lexuesit e të përditshmes rajonale “La Provence” në Marsejë të martën, Macron tha se videoja kishte shkaktuar shqetësim edhe midis diplomatëve të huaj.
Ai tha se mori një mesazh alarmi nga një homolog afrikan që pyeste: “I dashur president, çfarë po ndodh në vendin tuaj? Jam shumë i shqetësuar”.
Macron tha se udhëzoi ekipin e tij të kontaktonte Facebook-un për të kërkuar heqjen e përmbajtjes, por kompania refuzoi, duke thënë se videoja nuk shkelte kushtet e saj të shërbimit.

