Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se ofrimi i ndihmës për Ukrainën mbetet një prioritet absolut. Në një konferencë për gazetarët gjatë takimit të tij me sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Paris, ai tha:
“Ne kemi nevojë për një Ukrainë të fortë, një Evropë të fortë dhe një aleancë të fortë Atlantike”, theksoi presidenti francez. “Ofrimi i ndihmës për Ukrainën mbetet një prioritet absolut,” shtoi ai, duke vënë në dukje se vendosja e trupave të Koresë së Veriut përbën një përshkallëzim të rrezikshëm.
Presidenti francez tha gjithashtu se forcimi i sigurisë së Evropës duhet të bëhet përmes NATO-s, duke folur për një shtyllë evropiane të Aleancës Atlantike.
“Evropa u vonua në marrjen e përgjegjësisë për sigurinë e saj,” tha presidenti francez, duke shprehur kënaqësinë e tij për faktin se të gjitha vendet evropiane janë të gatshme të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Ai gjithashtu përsëriti vullnetin e tij për një “autonomi strategjike” të Evropës, mbështeti forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes por edhe në favor të forcimit të lidhjeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s./abcnews.al


