Macron dhe Putin bisedojnë për krizën në Ukrainë

schedule09:49 - 20 Shkurt, 2022

schedule 09:49 - 20 Shkurt, 2022

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të bisedojnë më 20 shkurt lidhur me tensionet përshkallëzuese mbi Ukrainë.

Kjo bisedë telefonike vjen në kohën kur liderët perëndimorë thonë se Rusia – që ka dislokuar dhjetëra-mijëra trupa pranë Ukrainës – po planifikon një sulm të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës. Moska mohon se ka plane për pushtim.

Ndërkaq, misioni monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) raportoi për “rritje dramatike” të shkeljeve të armëpushimit në vijën e frontit midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

OSBE tha më 19 shkurt se vetëm brenda një dite ka pasur 1,500 shkelje të armëpushimit në rjonet Donetsk dhe Luhansk.

Po të njëjtën ditë, Ukraina tha se gjatë një sulmi i janë vrarë dy ushtarë.

Ndërkaq, më 20 shkurt, Ukraina pezulloi operacionet në një prej shtatë pikat kontrollit për territorin në rajonin e Donbasit, që kontrollohet nga separatistët. Ushtria tha se operacionet u pezulluan për shkak të granatimeve të rënda.

Shtetet e Bashkuara thonë se me afro 150,000 trupa ruse në kufijtë e Ukrainës – dhe pothuajse 190,000 në total, përfshirë këtu forcat separatiste në lindje të Ukrainës që mbështeten nga Rusia – Moska veçse e ka ndarë mendjen që ta pushtojë shtetin fqinj.

Po ashtu, afro 30,000 trupa ruse janë në Bjellorusi për stërvitje ushtarake të cilat pritet të përfundojnë më 20 shkurt.

Në Uashington, presidenti amerikan, Joe Biden, i cili më herët tha se ishte “i bindur” që Rusia do ta punojë Ukrainën në ditët e ardhshme, më 20 shkurt mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për krizën./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!