Lumenj droge mes Italisë e Shqipërisë, në pranga 21 shqiptarë e 6 italianë

schedule11:31 - 12 Shkurt, 2019

schedule 11:31 - 12 Shkurt, 2019

Mediat italiane kanë pasqyruar gjerësisht operacionin e bujshëm “Lulet e Pranverës, një bashkëpunim mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, që çoi në shpërbërjen e katër grupeve që merreshin me prodhim e trafik droge.

Një operacion i bërë i mundur falë ngritjes së të ashtuquajturës skuadër hetimi e përbashkët mes palës italiane dhe asaj shqiptare, çoi në zbulimin e vendeve ku prodhoheshin, përgatiteshin, paketoheshin dhe nga ku dërgohej droga nga Shqipëria për në Itali dhe në vende të tjera të Europës, si dhe në identifikimin e anëtarëve të organizatave kriminale.

Operacioni me emër “Lulet e pranverës” në orët e para të mëngjesit të së martës çoi në shpërbërjen e katër grupeve kriminale italo – shqiptare, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, armëmbajtje pa leje si dhe trafikim të municioneve të luftës. Gjithsej janë 27 urdhër arrestet për 21 shtetas shqiptarë dhe gjashtë italianë.

Mediat italiane publikojnë detaje, të hetimeve që zgjatën prej 2 vitesh, sipas përfundimeve të të cilave u vërtetua se si shtetasit shqiptarë u drejtoheshin bashkëkombasve të tyre në Shqipëri për dërgimin e sasive të konsiderueshme të drogës.

Në Shqipëri gjithashtu rekrutoheshin skafistët të cilët kishin për detyrë transportin, me gomone të fuqishme, me tonelata marijuanë, por dhe kokainë dhe heroinë, nga brigjet shqiptare në ato italiane.

Faza logjistike në Itali u besohej shtetasve italianë si njohës më të mirë të zonës. Në mënyrë të përsëritur grupe kriminale, shpesh herë iu janë drejtuar shqiptarëve të arrestuar për të ruajtur zonat e tyre të shitjes së drogës, duke i paguar shuma të mëdha parash kesh, të cilat janë sekuestruar gjatë arrestimeve.

Nga hetimet u vu në pah se trafikantët shqiptarë ishin në gjendje të garantonin sasi të konsideruehsme droge të cilat kryesisht shkonin në Zvicër dhe Gjermani, ndërsa Salento ishte pika kyçe për shkak të pozicionit gjeografik, i njohur dhe Porta e Lindjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!