Nga Lorenc Vangjeli
Tridhjetë e kusur vite më parë, dyqind lekë, (të rinj), ishte paga minimale e 15-të ditëshit për një punëtor. Me aq para, ai duhet të ushqehej, të plotësonte të gjitha nevojat e familjes, përfshi strehimin, arsimimin, kujdesin shëndetësor, madje edhe të kursente për të blerë kostumin e dasmës dhe të merrte falas funeralin kur t’i vinte rradha. Nostalgjikët e së djeshmes do të bërtisnin me pothuajse të drejtë, se tashmë inflacioni ka bërë të vetën. Me një shumë të tillë mund të porositet një kafe dhe një ujë pa gaz. Në kafe lagjeje apo në periferi të Tiranës, shuma përfshin edhe bakshishin për kamarierin. Dy qind lekë mund të shpeënzohen për një krikëll birrë vendi, për dy bukë e gjysëm masive apo mund të merret edhe një biletë parkimi për dy orë në zonën A të Tiranës dhe për plot pesë orë në zonën B të kryeqytetit. Dyqind lekë kushton një kilogram e gjysëm domate brenda sezonit dhe mund të sigurohen deri në tre kilogram, në sezon, nga ndonjë perime tjetër autentike e tokës, që bën të fluturojë këdo që zgjedh vetë të provojë lartësitë.
Dyqind lekë mund edhe të humbasin në xhep dhe as kurnacëria nuk do t’i ruante aty, kur dikush troket në xhamin e makinës së ndalur në semafor dhe kërkon ca lekë “për bukë”.
Me fjalë të tjera, dyqind lekë është diçka më shumë se një euro e gjysëm. Dhe kështu ishte deri të hënën. Sepse të hënën, kursi i këmbimit të dy qind lekëshit krenar shqiptar njohu një kthesë befasuese dhe një rritje mbresëlënëse: fiks dyqind lekë kushtoi partia e zotit Basha dhe vetë zoti Basha si kryetar i saj.
Një shkresë e gjykatës së Tiranës, e datës 24 janar 2021, firmosur nga zonjusha Besa Korbeci, sekretare e regjistrit të partive politike, zbulon se PD është miratuar me vendim të ministrit të drejtësisë në dhjetor të 1990-ës dhe vërteton se “Kryetar i kësaj partie është zoti Lulzim Basha”. “E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”, firmos sekretarja Korbeci. Poshtë firma dhe pulla e tarifës me portretin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti. Shërbimi për subjektin e interesuar kushton fiks dyqind lekë.
Por kjo është vetëm ajo çfarë duket sepse brenda çmimit përfshihet edhe e drejta e përdorimit të vulës, simboleve apo edhe e korrespondencës me zotin Ilirian Celibashi, që është thirrur në apel për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në disa bashki të vendit. Brenda në çmim është edhe e drejta për të mbuluar me flamurin e kësaj partie, të gjithë kandidatët për këto gjashtë bashki. Brenda këtij çmimi, përfshihen edhe dhjetra milionë euro të padeklaruara ndonjëherë, që është çmimi real i një partie të madhe që synon pushtetin.
Estë ende e paqartë nëse dyqind lekëshi i paguar të hënën, do të shpenzohet edhe për përgatitjen për zgjedhje të PD-së legale.
Situata e këtyre zgjedhjeve është tipikisht anormale si vetë Shqipëria. Nga njëra anë është maxhoranca që nuk e fsheh gazin dhe ngutin për të hyrë në zgjedhje të parakohshme dhe nga ana tjetër opozita e pullës i konsideron këto zgjedhje të parakohshme si provokim nga trekëndëshi i zi, Rama, Meta, Berisha.
Kudo gjetkë, opozitat luten që të kenë zgjedhje çdo paradite të diele, këtu opozita legale me shumë gjasa do ta refuzojë takimin e datës gjashtë mars.
Kudo gjetkë, zgjedhjet e parakohshme janë një mjet dhe instrument i mrekullueshëm në dispozicion të demokracisë për të zgjidhur krizat, në Shqipëri, vendi hyn rregullisht në spiralen e krizave sa herë që afrojnë zgjedhjet.
Në një ambient normal politik duhet të ishte tërësisht ndryshe. Lulzim Basha, i cënuar në legjitimitetin e tij moral, por edhe institucional, duhet të kishte dalë prej kohësh nga bunkeri i zgjedhjeve të verës së vjetshme që e mbajtën në krye të partisë dhe duhej të ishte votëbesuar sërish ndër demokratë. Jo sepse ja kërkon i ngjashmi i tij, një tjetër humbës serial si Berisha, të cilit amerikanët i noterizuan në anglisht atë që një milion shqiptarë ja thanë shqip njëri pas tjetrit në vitin e largët 2013: ik se je minues i demokracisë dhe i korrptuar!
Jo sepse duke e ndarë PD-në me kokëfortësi në dy palë që vetëvriten, ja çojnë mandatin e katërt Ramës në xhep, njëlloj siç i çonin Sulltanit dikur në shtrat “new entry-n” e harremit.
Jo sepse zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën e brendshme, por sepse janë shansi i fundit që po tretet me shpejtësi për t’i dhënë vendit kombinimin e domosdoshëm që kërkon demokracia për ekuilibrin dhe kontrollin mes pushteteve, ndër të cilët opozita, është një pushtet jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Nëse PD e Bashës nuk hyn në zgjedhje, me po ato argument që refuzoi qershorin e 2019-ës, kjo do të ishte një humbje qesharake për të dhe një fitore e panevojshme për Ramën. Nëse ajo fiton, atëherë Basha ka të drejtë t’i vejë edhe kangjella dritareve të zyrës së tij në PD dh eta bëjë edhe parkimin me lekë. Por nëse ajo del poshtë në shifra në krahasim me lëvizjen e demokratëve të zemëruar të Berishës, në sondazhin real me të paktën 350 mijë shqiptarë të thirrur në kutitë e votimit, atëherë dyqind lekëshi i paguar të hënën për gjykatën e Tiranës, është lek i shpenzuar kot. Krejtësisht kot!
/ Abcnews.al