Lukashenko viziton ushtarët rusë të stacionuar në Bjellorusi

schedule21:43 - 6 Janar, 2023

schedule 21:43 - 6 Janar, 2023

Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, vizitoi një bazë ushtarake ku janë të stacionuara trupat ruse, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes. Gjatë takimit, Lukashenko dhe përfaqësues të paspecifikuar të ushtrisë ruse, diskutuan për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që po zhvillojnë këto shtete, tha ministria.

“Në këtë fazë, njësitë e forcave të armatosura të Federatës Ruse janë të gatshme të kryejnë detyrat e parashikuara”, tha një përfaqësues i ushtrisë ruse.

Bjellorusia është aleate e ngushtë e Rusisë. Minsku tha të enjten se do të marrë më shumë armë dhe pajisje nga Rusia, teksa dy shtetet po forcojnë bashkëpunimin ushtarak.

Rritja e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Bjellorusisë ka rritur frikën se Moska mund të përdorë territorin e Bjellorusisë për të nisur sulme ndaj Ukrainës nga pjesa veriore.

Minsku ka mohuar se dëshiron të hyjë në luftën kundër Ukrainës, por Rusia kishte përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin më 24 shkurt. Moska vazhdon ta përdorë hapësirën ajrore bjelloruse për të kryer sulme me dronë dhe me raketa, ka thënë Kievi./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!