“Llukashenko nuk ka vetëm në Minsk. Ai është edhe në Tiranë, duke drejtuar, bashkë me Niçet e krimit të organizuar, qeverinë e Tiranës.” Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Gazment Bardhit, “sa më shumë fletë hapen nga dosja 339, aq më shumë zbulohet skema e blerjes së pushtetit të Edi Ramës me krimin..”
Sekretari i Përgjithshëm i PD shkruan se në një fshat të Shijakut kutitë mbusheshin me fletë të papërdorura, dhe kjo sipas tij del nga bisedat e publikuara.
“Vetëm në 1 qendër votimi, në një fshat të Shijakut, janë vulosur dhe janë futur në kuti 25 fletë votimi të papërdorura. Siç thotë vartësi i Niçes, “aq tepruan”, se fitorja e Edi Ramës do të kshte qenë edhe më e thellë.”
Sipas tij, kaq sa është bërë publike nga dosja është vetëm maja e ajsbergut, që , sipas tij, provon se “Edi Rama është organizatori dhe përfituesi i një skeme kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.”
Postimi i plotë:
“Sa më shumë fletë hapen nga dosja 339, aq më shumë zbulohet skema e blerjes së pushtetit të Edi Ramës me krimin.Zbardhja nga media e disa bisedave të tjera të Niçes famëkeq të organizatës mafioze të Avdylajve gjatë fushatës elektorale 2017, konfirmon mashtrimin elektoral të organizuar nga Edi Rama, që i dha atij të paktën 10-15 deputetë pa vullnetin e qytetarëve.
Vetëm në 1 qendër votimi, në një fshat të Shijakut, janë vulosur dhe janë futur në kuti 25 fletë votimi të papërdorura. Siç thotë vartësi i Niçes, “aq tepruan”, se fitorja e Edi Ramës do të kshte qenë edhe më e thellë.
Futja në kuti e fletëve të papërdorura, votimi i emigrantëve pa ardhur në Shqipëri, blerja e votave, kërcënimi me largimet nga puna i demokratëve apo qytetarëve të paangazhuar janë të provuara nga dosja 339 si skema të përdorura nga krimi i organizuar për t’i siguruar Edi Ramës pushtetin.
Kaq sa është bërë publike nga një dosje që po zvarritet prej 3 vitesh e gjysëm, është vetëm maja e ajsbergut, që provon se Edi Rama është organizatori dhe përfituesi i një skeme kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Dosja 339 është një thesar ende i pazbuluar që i lidh Avdylajt e trafikut të drogës me Edi Ramën dhe njerëzit e tij të besuar në Durrës. Llukashenko nuk ka vetëm në Minsk. Ai është edhe në Tiranë, duke drejtuar, bashkë me Niçet e krimit të organizuar, qeverinë e Tiranës.” /abcnews.al/