Romelu Lukaku është rikthyer sot në stërvitje me Interin. Sulmuesi belg ndihet i lumtur dhe i karikuar për të bërë sa më mirë në sezonin e ri me kampionët e Italisë.
Goleadori 28-vjeçar foli pas seancës stërvitore për Inter TV, aty ku u ndal edhe te trajneri Simone Inzaghi. Në fund një premtim për tifozët dhe popullin zikaltër.
“Pushimet ishin të bukura, i kalova në New York dhe Miami. Pushova disi, por nuk kam hequr dorë nga stërvitja për të qëndruar në formë dhe për ta nisur mirë sezonin e ri.
Kemi në dispozicion disa javë për t’u përgatitur, shpresojmë të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar“, deklaron goleadori i kampionëve të Italisë.
Më pas një koment për Simone Inzaghin, trajnerin e ri të ekipit zikaltër. “Kam biseduar gjatë me Simonen, flisnim edhe kur isha në Euro 2020.
Vëllai im Jordan (ka punuar te Lazio me Inzaghin), më kë treguar shumë gjëra për të. Po flasim për një trajner të aftë, mendoj se do na ndihmojë të realizojmë gjëra të mëdha.
Tifozët? Jam realisht i lumtur që jam rikthyer, uroj të vazhdojmë rrugëtimin që kemi nisur, dhe të vazhdojmë të fitojmë. Ne lojtarët do punojmë fort për të realizuar ëndrrat e tifozëve“, përfundoi Lukaku. /abcnews.al