Romelu Lukaku po shënon pafund dhe po udhëheq Interin drejt titullit kampion, trofe që i mungon klubit zikaltër prej vitit 2010.
Skuadra e Antonio Contes kryeson e vetme Serie A, teksa do të shkonte 6 pikë mbi Milanin e vendit të dytë nëse fiton nesër në mbrëmje kundër Atalantës.
24 gola numëron deri në këtë pikë të sezonit sulmuesi 27-vjeçar dhe Alberto Zaccheroni, ish-trajneri i Interit në periudhën tetor 2003-qershor 2004, e sheh si një kandidat për fitimin e “Topit të Artë”.
“Mendoj se ‘Topi i Artë’ duhet t’i jepet futbollistit që ia del të zhvendosë ekuilibrat më shumë se të gjithë. Rëndësi të madhe kanë edhe cilësitë teknike dhe fizike.
Lukaku? Nuk do të befasohesha aspak nëse Romelu shpallet fitues. Ka bërë gjëra të jashtëzakonshme që prej momentit kur ka ardhur tek Interi.
Nuk ka lojtar në Serie A që mund të frenojë atë, ndoshta vetëm Kessie mund t’ia dalë disi. Lukaku bëhet i frikshëm kur merr topin dhe niset drejt portës kundërshtare“, deklaroi Zaccheroni. /abcnews.al