Romelu Lukaku fitoi trofeun e parë me Interin. Zikaltrit u shpallën kampionë të Italisë, me sulmuesin belg që ishte një nga protagonistët kryesorë me 22 gola dhe 10 asistet sezonalë në Serie A.
28-vjeçari belg ka dhënë një intervistë për DAZN, aty ku zbulon edhe momentin kur e besoi se ai dhe shokët e tij do të rrëzonin Juventusin nga froni i futbollit italian.
“Ndeshja ku nisëm rrugëtimin tonë drejt titullit ishte ajo ndaj Sassuolos. Ndryshuam mënyrën e lojës dhe filluam të shfaqeshim më kompaktë në fushë.
Në sulm luajtën Sanchez me Lautaron. Unë isha në stol, por e kuptova menjëherë se skuadra ishte shumë e fortë dhe solide. Pasi mposhtëm Atalantën i thashë vetes: ok, mbaroi ky muhabet. Jemi afër titullit.
Sigurisht që nuk mund të shprehesha, por kjo gjë më kaloi në mendje. Jemi rritur të gjithë, edhe Conte është rritur shumë në aspektin mental“, deklaron Lukaku, i cili kujton edhe derbin e fituar me Milanin.
“U stërvitëm me ritme të larta përpara derbit. I thashë Lautaros që nuk ka shanse ta humbasim këtë ndeshje“. Në fund një koment për kolegun e sulmit dhe Nicolo Barellan, një nga lojtarët më të mirë të sezonit.

“Ishte edhe babai i tij me të kur e takova për herë të parë Lautaron. I thashë atij që brenda dy viteve unë dhe djali i tij do të kishim fituar trofe së bashku. Ne punojmë shumë për skuadrën.
Barella? Ai është zëri i skuadrës tonë. Çdo skuadër ka nevojë për lojtarë që janë të gatshëm për të shkuar në luftë, sigurisht që ne nuk bëjmë përjashtim“, përfundoi bomberi i kampionëve të Italisë. /abcnews.al