Interi arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme kundër Sampdorias, duke u rifitur kështu në garën për titullin kampion. Djemtë e Antonio Conten janë vetëm 6 pikë larg kreut të renditjes, në të cilën pozicionohet Juventusi i Sarrit. Pikërisht për këtë objektiv insiston edhe sulmuesi zikaltër, Romelu Lukaku, i cili shprehet se tashmë nuk ka vend për gabime.
”Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që ngushtuam diferencën me kreun. Tashmë janë dhe 12 finale për tu luajtur dhe që të gjitha janë për jetë a vdekje. Morëm tre pikët, por tani duhet të fokusohemi dhe të mbledhim forcat për betejën e së mërkurës (Interi pret Sassuolon, 19:30)”, deklaron bomberi belg për “Sky Sport Italia”.
”Çdo ndeshje është e vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë për asnjë ekip. Ne kemi punuar shumë në stërvitje dhe i gjithë është në një formë shumë të mirë fizike. Do të jetë pak e lodhshme, pasi do të luajmë çdo tre ditë por nuk ka vend për gabime”, mbyll Lukaku, i cili ishte autori i golit të parë mbrëmjen e djeshme. /abcnews.al