Luka Modriç favorit për çmimin e FIFA-s

schedule19:22 - 24 Shtator, 2018

schedule 19:22 - 24 Shtator, 2018

Një yll i ri pritet të fitojë sonte Çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit. FIFA do ta zbulojë në ceremoninë që do të zhvillohet sot në Sallën Mbretërore në Londër.

Pas 10 vjetësh, dominimi pritet të marrë fund.

Nuk do të jetë Cristiano Ronaldo, dhe as Lionel Messi, fitues i Çmimit të FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit.

Pas 10 vitesh triumfesh të dy yjeve kryesorë të futbollit botëror, heroi do të jetë një tjetër, Luka Modriç.

Kapiteni i Kroacisë, mësohet se do të marrë trofeun individual në “Sallën Mbretërore të Festivaleve” në Londër, i përzgjedhur përpara Ronaldos dhe yllit të Egjiptit dhe të Liverpool-it, Mohamed Salah.

Do të ishte i njëjti përfundim, si ai i Çmimit të UEFA-s për lojtarin më të mirë të vitit në Europë, vlerësim që iu dha pikërisht kroatit në një tjetër sallë të shkëlqyer, në Principatën e Montecarlos, në fund të muajit Gusht.

Cristiano Ronaldo edhe pse parimisht ende në garë, nuk do të jetë në Londër, ashtu si edhe Lionel Messi.

Ylli portugez ka vendosur ta braktisë ceremoninë, besohet si shenjë pakënaqësie, ndonëse këtë herë është justifikuar me kalendarin e ngjeshur tek Juventusi.

Messi, sipas mediave, mungon për arsye familjare, ndërsa më herët u raportua se do të shkonte në mbrëmjen e çmimeve, ku konkurron për golin më të bukur.

Lajmet janë që Çmimin Pushkash do ta fitojë pikërisht rrjeta e tij në Botëror ndaj Nigerisë, në një tjetër zgjedhje që do të krijojë polemika, pasi Cristiano Ronaldo shënoi në mënyrë madhështore në Champions ndaj Juventusit.

Në Londër do të jepet edhe çmimi për lojtaren më të mirë femër të vitit, për të cilin konkurrojnë norvegjezja Ada Hegerberg, gjermania Xhenifer Maroshan, dhe braziliania Marta.

Çmime edhe për trajnerin më të mirë burrë dhe grua, ku për meshkuj Zinedine Zidane konkurron me Didier Deschamps të Francës dhe Zllatko Daliçin e Kroacisë.

Për çmimet, 50 për qind të votave jepen nga trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve, ndërsa 50 për qind nga tifozët onlajn, dhe nga një grup i përzgjedhur i mediave të mbi 200 vendeve të botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!