Luka Donçiç u tregua vendimtar për Dallasin, duke i dhënë fitoren ndaj Hjustonit në basketbollin amerikan. Adoleshenti nga Sllovenia vazhdon të shkëlqejë këtë sezon.
Ndeshja po u ikte nga duart, por njëri prej tyre nuk ishte dakord. Dallasi ishte në humbje ndaj Hjustonit, kur kishin mbetur 2 minuta e 49 sekonda lojë, por papritur një 19-vjeçar mori në dorë gjithçka.
Luka Donçiç, debutuesi i shkëlqyer i NBA-së, nisi një reagim që ktheu fatin e ndeshjes. Në vetëm 2 minuta e 49 sekonda ai shënoi plot 11 pikë radhazi, diçka që shumë pak yje e kanë bërë në historinë e basketbollit amerikan.
Sipas statistikave, vetëm tre lojtarë të tjerë kanë shënuar 11 pikë radhazi këtë sezon, dhe këta janë Stefën Kërri, Lou Uilliams dhe Xhejms Harden.
Slloveni nuk kishte luajtur shumë mirë deri në atë moment, por gjeti formën më të mirë në çastin e duhur. Në total, ai shënoi 21 pikë, duke qenë më i miri i skuadrës së tij, e po ashtu kapi 7 topa në tabela e vodhi 3 topa nga kundërshtarët.
Xhejms Harden ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 35 pikë, por nuk e shmangu humbjen e Hjustonit.
Dallasi fitoi 107-104, duke u ngjitur në vendin e 8-të në Konferencën Perëndimore, me një paraqitje shumë më të mirë sesa vjet.
Donçiç, erdhi në verë nga Reali i Madridit, pasi u shpall kampion i Spanjës dhe I Europës, ndërsa në NBA vlerësohet si kandidati numër 1 për t’u shpallur Debutuesi i vitit. /abcnews.al

