Spanja nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 jashtë fushe me Zvicrën në ndeshjen e mbrëmjes së kaluar në Nations League. Një takim i veçantë për Sergio Ramos, kapitenin e kombëtares iberike dhe Real Madrid.
Kjo ishte ndeshja e 177 me Spanjën (23 gola) për qendërmbrojtësin e njohur, shifër që nuk e ka arritur asnjë futbollist evropian me kombëtaren e tij. Një rekord fantastik, që u sfumua disi nga humbja e dy penalltive.
34-vjeçari dështoi dy herë nga pika e bardhë në pjesën e dytë, duke i dhënë fund rekordit prej 25 penalltive radhazi të kthyera në gola. Gjithsesi, Luis Enrique, trajneri i Spanjës, nuk e sheh aspak problem diçka të tillë dhe shpreh besim absolut te kapiteni i tij.
“Rekordi i Sergio Ramos i golave radhazi të shënuar me penallti, mbetet dhe është një nga më të mirët, kështu që nuk duhet t’i japim shumë rëndësi gabimeve me Zvicrën. Nëse do të kishim fituar një penallti të tretë, atë do e gjuante sërish Sergio Ramos.
Po flasim për një fitues të lindur. Humbi dy penallti, por ka kaluar shumë në karrierën e tij. Ka shijuar fitore, ka humbur dhe ka vendosur rekorde. Ai është një lojtar me eksperiencë të madhe. Jam i bindur që penalltinë e radhës do e kthejë në gol“, deklaron Luis Enrique për Goal. /abcnews.al