Luhatjet e kursit të këmbimit/ FMN vlerëson efektet e kursit të lirë të këmbimit në Shqipëri

schedule19:19 - 14 Nëntor, 2024

schedule 19:19 - 14 Nëntor, 2024

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar regjimin e lirë të kursit të këmbimit dhe efektin që ka pasur në inflacion. Pavarësisht luhatjeve të forta ndërsa aktualisht një euro ka prekur nivelin e 98 lekëve më të ulëtin e regjistruar deri me tani.

Përfaqësues të misionit të FMN kanë mbërritur në Shqipëri ku janë takuar me Bankën e Shqipërisë por edhe me ministrin e financave. Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë me synim garantimin e stabilitetit të çmimeve.

Ndërkohë guvernatori Sejko njohu përfaqësuesit e misionit të fondit monetar me ecurinë ekonomike në vend.

“Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje prej 4% gjatë gjysmës së parë të vitit. Kjo rritje i atribuohet kryesisht bilanceve të shëndosha financiare të bizneseve dhe familjeve, ambientit stimulues financiar, si dhe rritjes së të ardhurave. “, tha Sejko.

Në një moment që po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm FMN u takua edhe me ministrin e financave.

“Një vëmendje të veçantë në këtë takim morën treguesit makroekonomikë dhe fiskalë, kryesisht mbi pritshmëritë dhe realizimin e parametrave buxhetore të këtij viti, buxhetit të ardhshëm dhe objektivave afatmesëm.”, u shpreh Malaj.

Në përfundim të misionit, Ministria e Financave, së bashku me FMN-në dhe Bankën e Shqipërisë pritet të shprehin qëndrimet e tyre rreth ecurisë ekonomike dhe adresimin e sfidave të ardhshme për zhvillimin e vendit./abcnews.al