Luftime të ashpra midis ushtarëve ukrainas dhe forcave pushtuese ruse janë raportuar përreth Klishçijivkës, një fshat kyç në rajonin e Donjeckut në lindje të Ukrainës, raportoi ushtria ukrainase.
Nëse rimerren të dy fshatrat kjo mund të lejojë trupat e Ukrainës të sulmojnë Bahmutin nga veriu dhe perëndimi, duke u mundësuar që të çlirojnë këtë qytet të shkatërruar që ra nën kontrollin rus pas një beteje të përgjakshme disamujore. Marrja e Bahmutit atëbotë shënoi një fitore të madhe për Kremlinin.
Ushtria ukrainase tha më 18 shtator se forcat e saj “po vazhdojnë operacionet sulmuese” në rajonin e Klishçijivkës, “duke i shkaktuar armikut humbje të konsiderueshme”.
Një ditë më herët, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kanë vazhduar sulmet e tyre afër Klishçijivkës, që para luftës kishte një popullsi prej rreth 40 banorësh.
Shefi i stafit të presidencës ukrainase, Andriy Yermak, më 17 shtator publikoi në Telegram një fotografi ku shfaqeshin ushtarë ukrainas duke mbajtur flamurin e shtetit të tyre në këtë fshat.
“Ukraina gjithmonë rimerr atë që i takon”, shkroi ai.
Illia Yevlash, zëdhënës i ushtrisë ukrainase, tha se gjatë luftimeve në këtë fshat njësive ruse u është shkaktuar “dëm i madh”, përfshirë edhe batalionit Akhmat të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.
Ukraina – që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga fundi i shkurtit të vitit të kaluar, që nga qershori është duke zhvilluar një kundërofensivë në lindje dhe jug. Megjithatë, kundërsulmi po vlerësohet se është më i ngadalshëm seç pritej. /rel