Luftëtari refuzohet nga Milinkoviç, klubi synon Julian Ahmatajn

schedule13:16 - 29 Janar, 2019

schedule 13:16 - 29 Janar, 2019

Luftëtari po përpiqet të gjejë trajner tjetër pas largimit të Gentian Mezanit. Klubi gjirokastrit dështoi për të kthyer në stol, ish-trajnerin Mladen Milinkoviç

Koha nuk pret për të gjetur njeriun e ri të stolit. Luftëtari do të jetë i detyruar të prezantojë trajnerin e katërt në vetëm 7 muaj, por shqetësimi kryesor është gjetja e një kandidature të përshtatshme.

Emri më i mundshëm duket se është ai i Julian Ahmatajt, trajnerit që drejtoi Kamzën në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Gjithsesi, më herët, mësohet se presidenti Tavo bëri një përpjekje për të kthyer në krye të ekipit, ish-trajnerin Mladen Milinkoviç.

Serbi pati ecuri pozitive në Gjirokastër, madje më pas kaloi tek skuadra kampione e Kukësit, por përgjigja e tij ishte negative. Milinkoviç vuri kusht që t’i jepeshin 15 000 euro që, pretendon se ia kanë borxh, dhe për të cilat thotë se ka fituar gjyqin në FIFA.

Largimi i trajnerit Gentian Mezani e kapi disi në befasi klubin gjirokastrit, që duhet të veprojë shpejt, pasi të dielën ka një ndeshje shumë të vështirë në fushën e Laçit. Mezani iku pas humbjes së rëndë pësuar në sfidën e fundit të Superligës, ndaj Kastriotit në Gjirokastër, dhe pas konferencës për shtyp të dhënë pas takimit. Vlonjati deklaroi se Luftëtarit i duhen përforcime, veçse kriza financiare duket se nuk e lejon një gjë të tillë.