Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Luftë me akull dhe shampanjë/ Groenlanda përplas fort Trump me Macron

schedule18:29 - 20 Janar, 2026

schedule 18:29 - 20 Janar, 2026

Europa nuk do të përkulet përballë presionit amerikan dhe Perëndimi do të qëndrojë në krah të atyre që e respektojnë dhe jo të atyre që e ngacmojnë. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të martë nga Forumi Ekonomik i Davosit, që po mbahet në Zvicër. Kreu i Elizesë, i cili pati një paraqitje jo të zakonshme për shkak të syzeve të diellit që i duhet të mbajë për shkak të një problemi me sytë, deklaroi se gjithçka që Trump synon të bëjë me tarifat e tij tregtare për vendet që kundërshtojnë dorëzimin e Groenlandës është që të dobësojë dhe nënshtrojë Europën.

“Shtetet e Bashkuara, përmes tarifave tregtare, synojnë të minojnë interesat tona të eksportit. Përmes këtyre tarifave kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur të dobësojnë dhe nënshtrojnë Europën. Të gjitha këto janë të papranueshme, për më tepër kur përdoren si leva kundër sovranitetit tonë territorial”, tha Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron përmendi publikisht përdorimin e Mekanizmit Europian Kundër Shtrëngimit kundër Shteteve të Bashkuara, një instrument që do t’i hapte luftë tregtare ndaj Washingtonit duke vendosur tarifa ndëshkuese, duke kufizuar importet dhe eksportet, duke ndalur investimet dhe duke përdorur masa të tjera ekonomike si mjet presioni politik. Macron tha se ky mekanizëm duhet përdorur për aq kohë sa Perëndimi nuk ndihet i respektuar. Media britanike BBC raportoi këtë të martë se Parlamenti Europian ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare që u arrit mes SHBA dhe BE në muajin korrik për ulje të tarifave tregtare, pas një lufte të nisur nga vetë Trump.



Ndaj kësaj deklarate të Macron reagoi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili vijoi presionin e administratës republikane duke thënë se Europa nuk duhet të hakmerret ndaj planit të Presidentit Trump për të pushtuar Groenlandën, duke thënë se europianët kanë nevojë të ulen dhe të marrin frymë thellë.

Bessent tha se e keqja më e madhe që mund të bëjë Europa në këto momente është të përshkallëzojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi këtë të martë se një sulm ushtarak ndaj ishullit të vetëqeverisur nga Amerika është i pamundur, megjithatë ai paralajmëroi se Perëndimi dhe Danimarka duhet të përgatiten për gjithçka. Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen kundërshtoi sërish çdo ambicie territoriale të Presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se sovraniteti, kufijtë dhe demokracia janë të panegociueshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!