Luftë inflacionit, Erdogan ul në 1% TVSH-në për ushqimet   

schedule23:35 - 13 Shkurt, 2022

schedule 23:35 - 13 Shkurt, 2022

Ndërsa vendi përballet me një nivel inflacioni që ka dalë jashtë kontrollit, presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar një ulje prej 7% të taksave për produktet bazë ushqimore.

Erdogan tha se TVSH-ja do të ulej në 1%, nga 8% që është aktualisht për ushqimet. Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe do të hyjë në fuqi të hënën.

Presidenti turk shtoi se paralelisht me uljen e taksës, qeveria pret që kompanitë ushqimore të ulin çmimet e tyre me 7%. Ai tha se këto produkte ushqimore luajnë një rol të rëndësishëm për inflacionin.

Të dhënat zyrtare për janarin tregojnë se inflacioni është rritur në nivelin 48.69% në vit, megjithëse ekspertët e pavarur thonë se është realisht mbi 115%.

Erdogan theksoi se qeveria e tij nuk do të lejojë që inflacioni t’I shkaktojë dëme të rënda Turqisë.

Nga ana tjetër, kritikët thonë se vendi po vuan nga inflacioni i lartë për shkak të këmbënguljes së Erdogan për të ulur normat e interesit. Presidenti turk beson se inflacioni shkaktohet nga normat e larta të interesit, në kundërshti me teorinë tradicionale të ekonomisë.

Sakaq, Banka qendrore, pavarësia e së cilës është zvogëluar nga qeveria, kishte ulur normën bazë të interesit që në shtator. Kriza e monedhës e uli lirën turke në nivelet më të ulëta në muajin dhjetor. Për shkak se Turqia mbështetet tek importet për të plotësuar nevojat e saj energjetike, si dhe për materialet bazë dhe furnizimin me shumë produkte ushqimore, çmimet kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta.

Këtë javë lira turke shkëmbehej në nivelin 13.49 me dollarin. Niveli më i ulët i arritur në dhjetor ishte 18.36.

Ministri i Thesarit dhe Financave, Nureddin Nebati, gjithashtu njoftoi një masë për të inkurajuar njerëzit të sjellin floririn që mund ta kenë mbajtur “nën jastëk”. Ai tha se nga 1 marsi do të çeleshin 1500 objekte ku njerëzit mund të sjellin metalin e çmuar që do të integrohet në sistemin financiar në formën e depozitave.

Ai shtoi se njerëzit do të kenë gjithashtu mundësinë ta tërheqin më vonë floririn e tyre në formën e arit, nëse do ta dëshirojnë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!