Një kalvar i gjatë makinash ushtarake ruse është nisur drejt Kievit, me synimin që përfundimisht ta gjunjëzojë kryeqendrën e Ukrainës dhe qytetet tjera me rëndësi strategjike.
Mirëpo, jo gjithçka po shkon sipas planit për rusët, pasi që po hasin në rezistencë të ashpër.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, në një intervistë për CNN me gazetaren Christiane Amanpour, ka thënë se forcat ukrainase janë duke e targetuar kolonat e ushtrisë ruse që kanë mësyrë Kievin dhe qytete të tjera.
“Ne kemi vënë në përdorim forcat ajrore për të shkatërruar konvojin që ka mësyrë qytetet tona”, ka thënë Kuleba, transmeton Gazeta Express.
Kur është pyetur se çfarë lloj ndihme i duhet Ukrainës nga SHBA-ja dhe NATO, ai ka thënë: “forca ajrore, mekanizëm anti-raketor dhe armë”.
Megjithatë, Kuleba ka thënë se Rusia ende dominon hapësirat ajrore.
“Problemi është se Rusia dominon në qiell. Pilotët tanë janë duke luftuar me ashpërsi kundër tyre, por edhe ne kemi humbje. Pra, rusët përdorin avionët dhe bombarduesit e tyre për të sulmuar qytetet tona dhe ne duhet t’i kundërvihemi këtij kërcënimi”, ka theksuar ai.
“Ne po luftojmë në ajër, por Rusia ka më shumë aeroplanë në Ukrainë se që kemi ne”, ka shtuar ai./GazetaExpress