Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një projektligj për uljen e moshës së rekrutimit nga 27 në 25 vjeç, pasi forcat e armatosura ukrainase nuk kanë mjaftueshëm njerëz për të luftuar forcat pushtuese ruse.
Ky projektligj, i cili u miratua një vit më parë nga parlamenti i Ukrainës dhe pritet të publikohet në Gazetën e Qeverisë, do të hyjë në fuqi nga të mërkurën, tha Rada, parlamenti i Ukrainës në faqen e saj të internetit.
Rekrutimi ka qenë objekt debati prej muajsh në Ukrainë. Ushtria ukrainase ka pësuar humbje, shkalla e të cilave mbahet e fshehtë, dhe tani po lufton, ndryshe nga fillimi i luftës, për të gjetur vullnetarë për frontin.
Rada votoi në lexim të parë në shkurt për një sërë masash që synojnë lehtësimin e rekrutimit.
Zelensky në dhjetor 2023 foli për regjistrimin e deri në 500,000 rezervistë shtesë, një shifër e cila që atëherë është rishikuar në rënie nga kreu i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Sirsky.
Sistemi ekzistues konsiderohet nga shumë ukrainas si i padrejtë, joefikas dhe shpesh i korruptuar. Po ashtu, zërat e atyre që shërbejnë për një kohë shumë të gjatë dhe kërkojnë të kthehen në familje po shtohen./abcnews.al