Lufta në Ukrainë/ Zelensky do të takohet me Biden dhe Harris, do t’u paraqesë “planin e fitores”

schedule10:20 - 26 Shtator, 2024

schedule 10:20 - 26 Shtator, 2024

Volodymyr Zelenskiy do të takohet sot me presidentin amerikan Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris, në një kohë kur lufta në Ukrainë ka qenë sërish në qendër të fushatës zgjedhore në SHBA për shkak të kritikave të ashpra të Donald Trump ndaj presidentit ukrainas.

Zelensky do të takohet pasdite me Biden dhe Harris, kandidatin demokrat për president, një ditë pasi Uashingtoni njoftoi 375 milionë dollarë shtesë në ndihmë ushtarake për Ukrainën. Dhe SHBA nuk ka ndërmend të ndalet me kaq.

Presidenti amerikan, në një bisedë të shkurtër me homologun e tij ukrainas, të mërkurën, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i premtoi atij të rrisë fluksin e ndihmës amerikane për të “ndihmuar Ukrainën të fitojë”.

Detajet e kësaj ndihme do të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme. Nga ana e tij, Zelensky do të prezantojë “planin e fitores” që ka hartuar me synimin për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Zelensky i ka kërkuar edhe një herë Perëndimit që të lejojë ushtrinë ukrainase të godasë objektivat thellë brenda territorit rus me armët që ato ofrojnë, diçka që SHBA deri më tani e ka refuzuar.

Presidenti ukrainas e di mirë se mbështetja për vendin e tij është kryesisht në ajër në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Biden premtoi sot se do të paraqesë “një seri masash për të forcuar mbështetjen për forcat e armatosura ukrainase”, por kandidati republikan dhe paraardhësi i tij në presidencë ka qenë ashpër kritik ndaj Zelenskyt ditët e fundit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!