Lufta në Ukrainë/ Tetë të vdekur dhe 21 të plagosur nga bombardimet ruse në Sloviansk

schedule22:45 - 14 Prill, 2023

schedule 22:45 - 14 Prill, 2023

Një sulm me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh vrau të paktën tetë persona dhe plagosi 21 të tjerë sot në qytetin lindor të Ukrainës, Sloviansk, tha guvernatori lokal.

“Sipas numërimit të fundit, tetë persona u vranë dhe 21 u plagosën,” tha Pavlo Kirilenko në televizionin ukrainas.

“Në orën 18:00 (me orën lokale), pesë persona u vranë dhe 15 të plagosur”, shkroi në Telegram guvernatori i rajonit të Donetsk, Pavlo Kirilenko. “Është e mundur që shtatë persona, përfshirë një fëmijë, të jenë nën rrënoja”, shtoi ai.

Menjëherë pas kësaj, Daria Zarivna, një këshilltare e Presidentit Volodymyr Zelensky, njoftoi se një fëmijë dyvjeçar, i cili ishte nxjerrë nga rrënojat, vdiq më vonë ndërsa ishte në një ambulancë, duke e rritur numrin e të vdekurve në gjashtë.

Qyteti i Slovianskut ndodhet në rajonin e Donetskut i cili është nën kontrollin e Ukrainës, 45 kilometra në veriperëndim të Bahkmutit, afër territorit të kontrolluar nga Rusia.

Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë për “bombardimin barbar” të ndërtesave të banimit dhe “vrasjen e njerëzve ditë e natë”.

Në një deklaratë, zyra e prokurorit rajonal të Donetsk tha se kishte nisur një hetim paraprak si pjesë e procedimeve penale për shkelje të ligjeve të luftës.

“Sipas informacioneve paraprake, forcat pushtuese përdorën një sistem raketash kundërajrore S-300 kundër popullatës civile”, thuhet në deklaratë.

Gazetarët e AFP-së në vendngjarje panë shpëtimtarët që kërkonin të mbijetuarit në katin e fundit të një ndërtese apartamentesh të epokës sovjetike. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!