Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe ai i Rusisë kanë zhvilluar pasditen e së enjtes një bisedë telefonike. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve Anadolu.
Sipas raportimit të kësaj agjencie, presidenti turk bisedoi me homologun rus për zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë dhe situatës së civilëve në terren.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Turqia ka bërë të ditur se me anë të vizitës së ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në Lviv rikonfirmohet mbështetja e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“…Ne dialogojmë me të dyja palët sepse duam t’i japim fund armiqësive dhe të kufizojmë krizën humanitare. Mbështetja jonë do të vazhdojë edhe në këtë fushë. Në këtë moment të vështirë, shpëtimi i civilëve është prioritet, kemi shpëtuar shumë turq me ndihmën e qeverisë ukrainase dhe i mbajmë të gjitha dyert e hapura për ukrainasit dhe ata të Krimesë që jemi gati t’i mirëpresim në Turqi” , tha Cavusoglu. /abcnews.al/