Lufta në Izrael/ Anthony Blinken takon Princin e Kurorës së Arabisë Saudite

schedule12:47 - 15 Tetor, 2023

schedule 12:47 - 15 Tetor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, e cilësoi si “shumë produktiv” takimin që pati sot në Riad me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, vendi i të cilit pezulloi bisedimet për një normalizim të mundshëm të marrëdhënieve me Izraelin, për shkak të luftës me Izraelin.

Blinken ka qenë në një turne në Lindjen e Mesme javën e kaluar dhe sot u takua për rreth një orë me Mohammed bin Salman në fermën private të princit.

“Takimi ishte shumë produktiv”, tha shkurt kreu i diplomacisë amerikane pas kthimit në hotelin ku po qëndron.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se Blinken “theksoi rëndësinë që SHBA i kushton përfundimit të sulmeve terroriste nga Hamasi, lirimit të të gjithë pengjeve” dhe mos përshkallëzimit të konfliktit.

“Të dy burrat riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të mbrojtur civilët dhe për të promovuar stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë,” shtoi zëdhënësi.

Mohammed bin Salman, nga ana e tij, theksoi përpjekjet diplomatike të bëra nga Riadi për të de-përshkallëzuar situatën dhe denoncoi edhe një herë sulmet kundër civilëve, duke nënvizuar nevojën për të arritur një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme“, tha ai.

Blinken pritet të niset për në Egjipt gjatë ditës së sotme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!