Katari tha këtë të martë se bisedimet midis Hamasit dhe Izraelit për një armëpushim dhe këmbim pengjesh në Gaza po vazhdojnë.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Majed al-Ansari tha se bisedimet ishin “në vazhdimësi”, duke shtuar se nuk kishte “ndonjë zhvillim që do të çonte në mendimin se një nga ekipet është tërhequr nga negociatat”.
Katari, me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin, ka qenë i angazhuar në javë të tëra bisedimesh në përpjekje për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Zyrtari i Katarit tha se nuk mund të komentonte në mënyrë specifike për praninë e ekipeve teknike izraelite në Doha, por tha se “pavarësisht nga ardhja dhe largimi i këtyre ekipeve, takimet janë ende duke vazhduar këtu në Doha dhe unë mund të konfirmoj se një pjesë e ekipeve negociuese janë ende këtu në Doha për të zhvilluar negociata ndërsa flasim.” /abcnews.al