Lufta në Gaza ka nxjerrë në pah përçarjen midis Perëndimit dhe Jugut Global

schedule14:42 - 9 Nëntor, 2023

schedule 14:42 - 9 Nëntor, 2023

The Conversation

120 vende votuan në favor të një rezolute më 26 tetor 2023, duke bërë thirrje për një “armëpushim humanitar”, vetëm 14 vende votuan kundër. Por shifrat tregojnë vetëm gjysmën e historisë; po aq e rëndësishme ishte mënyra se si u votua.

Ata që votuan kundër rezolutës përfshinin Shtetet e Bashkuara dhe katër anëtarë të Bashkimit Europian. Ndërkohë, rreth 45 anëtarë abstenuan përfshirë 15 anëtarë të BE-së, plus Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë dhe Japoninë.

Rrallëherë ka qenë kaq i dukshëm izolimi i Perëndimit .

Si një studiues që ka shkruar mbi ngritjen e Jugut Global, vende kryesisht, por jo ekskluzivisht, në hemisferën jugore që ndonjëherë përshkruhen si “në zhvillim”, “më pak të zhvilluara” ose “të pazhvilluara”, ajo që më bën përshtypje është shkalla e përçarjes midis Veriut dhe Jugut politik.

Ndërsa liderët e vendeve si SHBA, Britania e Madhe  dhe Gjermania kanë qenë ndër mbështetësit më të rreptë të Izraelit gjatë krizës, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për vendet joperëndimore.

Fuqitë kryesore në rritje nga Jugu Global kanë qenë ndër kombet më të vendosur jashtë botës arabe në kritikat e tyre ndaj kësaj mbështetjeje të palëkundur perëndimore të Izraelit.

Indonezia dhe Turqia, të dyja me popullsi të madhe myslimane kanë qenë të dyja  shumë kritike ndaj fushatës së bombardimeve të Izraelit në Gaza, një përgjigje ndaj 1,400 izraelitëve të vrarë nga militantët e Hamasit më 7 tetor, raporton abcnews.al.

Por atyre u janë bashkuar liderët e Brazilit, Afrikës së Jugut dhe kombeve të tjera të Jugut Globa, të cilët kanë mbajtur një qëndrim më të vendosur. Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva i Brazilit shkoi aq larg sa e quajti fushatën në Gaza një “gjenocid “,  një koment që iu bë jehonë nga qeveria e Afrikës së Jugut kur, më 6 nëntor 2023, tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael në shenjë proteste.

Ndërsa SHBA-ja ka përdorur fjalën gjenocid në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, administrata Biden ka thënë qartë se termi nuk vlen për ngjarjet aktuale në Gaza.

Reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Gaza pasqyron një prirje më të thellë dhe afatgjatë në politikën botërore që ka parë thyerjen e rendit të vendosur të dominuar nga SHBA dhe të bazuar në rregulla.

Ndikimi në rritje i Kinës dhe pasojat e luftës në Ukrainë, në të cilën shumë vende të Jugut të Global kanë mbetur neutrale ka përmbysur marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një pjesë e kësaj është strukturore. Në gusht, Johanesburgu priti një samit të grupit BRICS, një bllok që përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut,  gjatë të cilit 21 vende nga i gjithë Jugu Global aplikuan për t’u bashkuar.

Gjashtë u ftuan për të qënë pjesë:Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe  dhe ata do të bashkohen zyrtarisht në janar 2024.

Ky grup BRICS+ me 11 anëtarë do të përfaqësojë 46% të popullsisë së botës dhe 38% të prodhimit të brendshëm bruto botëror.

Nga ana tjetër, Grupi i Shtatë ekonomive kryesore, ose G7, përfaqëson më pak se 10% të popullsisë së botës dhe 30% të ekonomisë globale.

Më 7 nëntor, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken u takua me homologët e tij të G7 në një përpjekje për të krijuar një konsensus se si të menaxhohet kriza në Lindjen e Mesme.

Pyetja është, a mundet BRICS+ – dhe në përgjithësi Jugu Global, të bëjë të njëjtën gjë duke qenë se përfshin një sërë vendesh me sisteme shumë të ndryshme politike dhe ekonomike?

Kundërshtimi i Amerikës Latine

Reagimi ndaj dhunës Izrael-Hamas tregon se Jugu Global është në gjendje të flasë, nëse jo me një zë, të paktën me një kor që nuk është në kundërshtim. Historikisht, shumë  kombe afrikane dhe aziatike kanë tentuar të mbështesin kauzën palestineze,  Indonezia nuk e njeh as shtetin e Izraelit.

Por ndoshta më befasues ka qenë reagimi i fortë në Amerikën Latine ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza. Me pak fjalë, Bolivia prishi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe Kili dhe Kolumbia thirrën ambasadorët e tyre nga Jerusalemi për konsultime, raporton abcnews.al.

Brazili, në cilësinë e kryesuesit aktual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, prezantoi rezolutën që mbështet një armëpushim në Gaza. Përfaqësuesja e përhershme e Meksikës në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Alicia Buenrostro, bëri thirrje që Izraeli të heqë dorë nga pretendimet që ka ndaj territoreve palestineze.

Por lind pyetja, nëse Jugu Global po flet në këtë mënyrë për këtë çështje, a po e dëgjon Perëndimi?

Modelet e votimit të përfaqësuesve perëndimorë në OKB sugjerojnë se përgjigjja është “jo”.

Nga ana tjetër, kjo vetëm sa shton pakënaqësinë e përgjithshme në të gjithë botën në zhvillim me strukturën aktuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mungesën e përfaqësimit të tij .

Fakti që asnjë vend nga Afrika apo Amerika Latine nuk është ndër anëtarët e përhershëm që gëzojnë të drejtën e vetos, krahasuar me Europën Perëndimore, e cila përfaqësohet nga Franca dhe Britania e Madhe ka qenë prej kohësh një burim tensionesh në Jugun Global.

Po kështu, po ashtu, perceptimi i “standardit të dyfishtë” po zbatohet nga Perëndimi për konfliktet në mbarë botën.

Ndërsa në Ukrainë flitet shumë për vuajtjet humanitare që po i shkaktohen popullit ukrainas, e njëjta gjë nuk duket se vlen për atë që po ndodh në Gaza, ku autoritetet shëndetësore palestineze raportojnë se më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në më pak se një muaj , 40 % prej tyre fëmijë.

/abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!