Lufta në Gaza/ Hamasi: Nuk do të bëjmë kompromise ndaj kërkesave tona për të arritur armëpushimin

schedule21:19 - 8 Mars, 2024

schedule 21:19 - 8 Mars, 2024

Krahu i armatosur i Hamasit ka thënë se nuk do të ketë kompromis për kërkesat e lëvizjes që Izraeli të tërhiqet nga Gaza për të siguruar lirimin e pengjeve të kapur në sulmin e 7 tetorit.

“Prioriteti ynë kryesor në arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve është angazhimi i plotë për përfundimin e agresionit dhe tërheqjen e armikut, dhe për këtë nuk ka asnjë kompromis”, tha Abu Obaida, zëdhënës i Brigadave Ezzedine në Qassam, në një deklaratë televizive.

Abu Obaida gjithashtu u bëri thirrje palestinezëve që të “mobilizohen dhe të dynden” gjatë Ramazanit, muajit të agjërimit për muslimanët, në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit, ku ka frikë për tensione gjatë kësaj periudhe pas pesë muajsh lufte në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive përpara Ramazanit, i cili fillon javën e ardhshme, por negociatat e zhvilluara këtë javë në Kajro nuk kanë dhënë fryte.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi këtë javë për një situatë “shumë të rrezikshme” në Izrael dhe veçanërisht në Jerusalem nëse armiqësitë vazhdojnë gjatë Ramazanit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!