Lufta në Gaza, ambasadorja e Izraelit në Britani kundërshton zgjidhjen me dy shtete

schedule07:19 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 07:19 - 15 Dhjetor, 2023

Ambasadorja e Izraelit në Britaninë e Madhe ka refuzuar zgjidhjen me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

Tzipi Hotovely ka deklaruar se palestinezët kurrë nuk kanë dashur që të kenë shtet në kufi me Izraelin.

Komentet e saj përfaqësojnë edhe qëndrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu teksa i ka refuzuar edhe thirrjet për armëpushim.

Ndërkohë, kryeministri britanik Rishi Sunak ka konfirmuar se qeveria e tij e sheh si zgjidhjen e duhur atë me dy shtete pasi të përfundojë lufta në Gazë.

“Nuk pajtohemi me këtë. Pozicioni ynë mbetet që zgjidhja me dy shtete është e duhura. E kam thënë vazhdimisht se po vdesin shumë njerëz të pafajshëm. Askush nuk dëshiron që ky konflikt të zgjasë. Natyrisht, Izraeli ka të drejtën që të mbrohet nga sulmet terroriste. Por siç i kam thënë edhe kryeministrit Netanyahu, Izraeli duhet të marrë masa për të mbrojtur civilët e pafajshëm”, ka thënë ai.

Sunak ka thënë se Britania vazhdon të bëjë thirrje për armëpushim të qëndrueshëm me të cilin do të liroheshin pengjet dhe arritjen e më shumë ndihmave në Gazë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka njoftuar të enjten se nga bombardimet izraelite në 24 orët e fundit janë vrarë 19 persona.

Që prej fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë 18 mijë e 600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.