Lufta ndaj evazionit, tatimet do të krijojnë listën me 650 individët më të pasur në vend

schedule07:27 - 6 Janar, 2022

schedule 07:27 - 6 Janar, 2022

Në tre vitet në vijim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të krijojë një listë me 650 individët më të pasur në vend, pasuria e të cilave do të hetohet për arsye të mbledhjes së taksave dhe reduktimit të informalitetit.

Në programin e ri Ekonomik të Qeverisë 2022-2024, përcaktohet se lista do të përmbushet gjatë tre viteve, ku gjatë 2022 do të listohen 100 persona, më 2023 do të evidentohen edhe 200 dhe gjatë 2024 edhe 350 individë të pasur, duke e çuar listën totale në 650 individë.

Për nga stili i jetës që bëjnë, Shqipëria ka shumë individë që kanë pasur, të cilët nuk i kanë të deklaruara burimet e te ardhurave e për rrjedhojë nuk janë të fiskalizuar. Pasuria e këtyre individëve mund të burojë nga burime të ligjshme dhe të paligjshme të ardhurash por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon që të paktën të fiskalizojë një pjesë të pasurisë së fshehtë dhe të nën deklaruar.

Hetimet paraprake të tatimeve kanë gjetur se, ka më shumë individë që marrin paga të larta se sa vetdeklarohen në tatime. Lista që do të krijohet do të azhurnojë informacione nga palë të treta, të tilla si hipotekat, pagesa e energjisë dhe ujit dhe synon të rrisë tatimin nga të ardhurat dhe pasuritë e këtyre individëve.

Shumë individë në Shqipëri kanë krijuar pasuri në mënyrë të jashtëligjshme, por institucionet financiare ndërkombëtare e kanë këshilluar autoritet fiskalë në vend që së paku kjo pasuri të fiskalizohet.

Gjatë tre viteve në vijim tatimet synojnë të luftojnë evazionin fiskal, mashtrimin fiskal dhe informalitetin, duke përdorur në kohë reale mbikëqyrjen e transaksioneve financiare midis tatimpaguesve, sipas sistemit të sapozbatuar të fiskalizimit (sistemi i monitorimit dhe mbikëqyrjes së veprimtarive tregtare të tatimpaguesve nga autoritetet tatimore shqiptare).

Sipas tatimeve ky sistem do të sjellë më shumë raportime transaksionesh me para në dorë dhe do të reduktojë transaksionet e fshehura pa para, me kontroll më të mirë të sistemit fiskal. Do të ndihmojë gjithashtu efikasitetin në raportimin fiskal, duke mbledhur më shumë të dhëna nga tatimpaguesit dhe duke mbushur deklaraten e TVSH-së me këto të dhëna.

Integrimi dhe përdorimi i të dhënave nga palët e treta në Data Warehouse të administratës tatimore, {autoritetet kombëtare të shërbimeve (uji, elektriciteti), regjistrimi i automjeteve, bashkitë, etj.}

Në kuadër të reduktimit të informalitetit do të ndërtohet Regjistri i Aseteve të Tatimpaguesve (te tundshme & patundshme), me qëllim vlerësimin real të pasurive të tatimpaguesve, duke ndërtuar një sistem për verifikimin dhe ndjekjen e të ardhurave të tatimpaguesve, kontrollin e plotë të pagesave të bëra mbi taksat e pasurisë. Ky proces do të kalojë nëpër 3 faza: E para, krijimi i një regjistri asetesh me atributet përkatëse; E dyta, shkëmbimi i të dhënave me web-service dhe e treta analiza e të dhënave./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!