Lufta mes klaneve “Skaliari” dhe “Kavaç” po mbush Europën me viktima, roli i politikës dhe “killerat” me pagesë që nuk “gabojnë”

schedule12:30 - 18 Qershor, 2022

schedule 12:30 - 18 Qershor, 2022

Milic Minja Sakoviç, i ekzekutuar mbrënë pranë banesës së tij në Budva duket të jetë bosi i radhës i mafias malazeze që është vrarë në kuadër të luftës së ashpër mes klanit “Skaliari” dhe atij “Kavaç”, të dy me bazë në Kotorr, por që prej vitesh janë duke mbjellë terror dhe të vdekur në të gjithë Europën.

Tashmë grupet mafioze janë duke bashkëpunuar edhe me njeri-tjetrin ku herë herë kanë edhe rivalë apo aleatë të përbashkët në rajon, përfshi Serbinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut apo edhe vetë Shqipërinë.

Dy të fundit të vrarë nga kjo luftë ishin anëtarët e klanit “Skaliari”, Igor Dedoviç dhe Stefan Stamatoviç që u ekzekutuan nga vrasës me pagesë në janar të vitit 2020 në Athinë. Ata akuzohet se kishin sjellë tonelata me kokainë nga vendet e Amerikës Latine në Ballkan dhe mbanin pasaporta të Maqedonisë së Veriut, shkruan abcnews.al. 

Por si është zhvilluar mafia në vendet e ish-Jugosllavisë për të ardhur deri në ditët e sotme?

Që nga rënia e komunizmit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, mafia ballkanike është rritur aq shumë saqë tani konsiderohet si një lojtar kryesor në krimin e organizuar ndërkombëtar. Bandat serbe, malazeze dhe shqiptare, të cilat filluan të lulëzojnë tre dekada më parë nga trafikimi i armëve dhe i cigareve, tani janë në zemër të Amerikës së Jugut ku mbërrin kokaina nga Evropa. Ata gjithashtu trafikojnë heroinë dhe prodhojnë marihuanë dhe drogë sintetike. Përfitimet e tyre janë kaq të mëdha, sa kanë investuar një pjesë të madhe në ekonominë e ligjshme, shkruan abcnews.al. 

“Gjeopolitika e Mafias”

Grupet serbe dhe malazeze kanë marrë në dorë trafikun e drogës nga Amerika e Jugut, duke u bërë lojtarë kryesorë në krimin e organizuar në Evropë. Një rritje në pushtet është arritur prej lidhjeve me qeverinë, përpara se të shpërthente një luftë vrastare mes klaneve.

Arsyet e shpërthimit të dhunës në vitet e fundit mes gangsterëve nga Serbia dhe Mali i Zi nganjëherë mbeten misterioze. Të shtënat në kafene, shpërthime makinash, kufoma të gjetura në rrugët e Beogradit, Kotorrit ose Podgoricës, për të mos përmendur një numër të panjohur të personave të zhdukur: shtatë vjet luftërash bandash, vrasje dhe hakmarrje kanë lënë të paktën pesëdhjetë të vdekur.

Shkaqet kryesore janë të njohur, janë dy ngjarje, që ndodhën në vitin 2014. Nga njëra anë, zhdukja e të paktën 200 kilogramëve kokainë në portin spanjoll të Valencia filloi të ndante kartelin e udhëhequr nga Darko Saric dhe shënoi shpërthimin e “Luftës së Kotorrit”, mes dy bandave rivale, klanit Skaljari dhe klanit Kavac. Nga ana tjetër, arrestimi i vetë Saricit ka shkaktuar një luftë pasardhëse midis njerëzve të tij më besnikë – të cilët drejtojnë perandorinë e tij ndërsa ai është në burg – dhe njerëzve ambiciozë që ëndërrojnë për më shumë autonomi dhe përfitime.

Lufta e bandave mori vrull të mëtejshëm dy vjet më vonë, në vitin 2016, pas vrasjes së Aleksandar Stankoviç, i njohur si “Sale Mutavi” udhëheqësi i bandës së Jeniçerëve, e formuar nga mbështetësit më të egër (ultras) të klubit të futbollit të Beogradit, “Partizani”. Tradicionalisht, në Serbi, grupet e ultra janë një terren ushqyes për botën e nëndheshme, siç ishin për milicinë paraushtarake gjatë luftërave të viteve 1990.

Ikona e kësaj bote paralele, gjatë sundimit të presidentit dhe kryekomandantit Slobodan Millosheviq (1989-2000), ishte Zheljko Raznatovic, i njohur si “Arkan”, udhëheqës i mbështetësve të Yllit të Kuq, klubit tjetër të futbollit në Beograd, atëherë njiheshin si Tigrat e Arkanit, një grup paramilitar që punoi me urdhër të policisë sekrete serbe. Arkani, i akuzuar njësoj si Millosheviq për krime kundër njerëzimit nga drejtësia ndërkombëtare, u vra në hotelin Intercontinental në Beograd, pak para rënies së Presidentit serb, nga një vrasës i cili, si ai, kishte një armë mafioze në njërën dorë dhe një simbol policie në tjetrën, shkruan abcnews.al. 

Nëse kriminelët e Shqipërisë fillimisht e morenn ndikimin e tyre nga lidhjet e krijuara me mafiet italiane, ata të Serbisë dhe Malit të Zi kanë fillimisht një “pasuri” origjinale, e cila mund të gjendet në këtë nivel vetë në Rusi: lidhja e tyre e ngushtë me Shtetin. E ndërtuar në kohën e komunizmit nga policia sekrete jugosllave, e përforcuar në kohën e luftërave nga shërbimet sekrete të Millosheviqit, kjo lidhje mbetet jashtëzakonisht e fortë. Ekspertët madje pyesin veten nëse Serbia dhe Mali i Zi mund të përshkruhen si “shtete mafioze” dhe, duke pasur parasysh fuqinë financiare të fituar nga bota e krimit të organizuar, nëse ende janë gangsterë ata që janë në shërbim të shtetit, apo nëse tani janë këta të dy shtete që janë në shërbim të gangsterëve.

Në Serbi mund të vihen re tre periudha të ndryshme.

“Millosheviçi ishte kumbari i kriminelëve dhe i paraushtarakëve. Më pas, në vitin 2000, kryeministri Zoran Xhinxhiç tentoi të rregullonte problemin, kështu që ata e vranë në vitin 2003,”- thotë Vuk Cvijiç, një gazetar investigativ i revistës Nin.

Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, mes viteve 2000 dhe 2012, teksa kishte akoma korrupsion, nuk kishte një lidhje mes qeverisë serbe dhe krimit të organizuar, mendon gazetari. Dy operacione të mëdha policore u zhvilluan në atë kohë, në bashkëpunim me shërbimet e huaja dhe Interpolin: Operacioni Sabre, kundër Klanit të Zemunit dhe vrasësve të Xhinxhiçit, në vitin 2003 dhe Operacioni Luftëtarët e Ballkanit, kundër kartelit të Darko Sariç, në vitin 2009.

“Sot, me mbështetjen e Presidentit Aleksandër Vuçiç, shteti dhe mafia janë duke bashkëpunuar sërish me njëra-tjetrën deri në atë pikë sa nuk mund të bësh dallimin mes tyre. Dikush mund të pyesë nëse mafia është bërë më e fortë se shteti,”- thotë Vuk Cvijiç.

Në Malin e Zi, historia është e ndryshme sepse i njëjti njeri, Milo Djukanovic, ka qenë në pushtet që nga rënia e komunizmit në 1991.

“Gjukanovic është shefi. Të gjitha klanet malazeze kanë të njëjtin punëdhënës: Presidentin e vendit,”- pretendon Jovo Martinoviç, një gazetar i famshëm i cili ka hetuar krimin e organizuar për njëzet vjet. 

“Dallimi me Amerikën Latine është se Pablo Escobar ishte një gangster që vepronte kundër shtetit. Në Mal të Zi, Pablo është president…,”- shton ai.

Marrëdhëniet e ngushta mes pushtetit politik dhe krimit të organizuar janë të vështira për t’u provuar, edhe nëse ndonjë hetim shkon deri te ndonjë ministër apo biznesmen. “Lidhja organike tradicionalisht kalon përmes shërbimeve sekrete,”- thekson një diplomat europian, që prej kohësh e njeh si funksionon Serbia dhe Mali i Zi.

“Trafiku orkestrohet nga qeveritë e Malit të Zi dhe Serbisë. Shumë kriminelë kanë distinktivët e policisë ose shërbimit sekret. Dy presidentët punojnë bashkë dhe kanë interesa të përbashkëta,”- shton Jovo Martinoviç.

Ekspertët tregojnë gjithashtu rolin, së bashku me secilin president, të vëllezërve të tyre përkatës, të cilët drejtojnë çështjet familjare. Andrej Vuçiq, në Beograd dhe Aco Gjukanovic, në Podgoricë, luajnë kështu një rol kryesor në kryqëzimin midis politikës, biznesit dhe parave të pista. 

“Droga është një gjë,”- thotë diplomati,-“Por Gjukanovic pa dyshim që e ka ndërtuar pasurinë e tij edhe më shumë me privatizimet më shumë se sa me trafikun. Vëllai i tij Aco është një miliarder.”

“Askush në skenën ndërkombëtare nuk e di se si të merret me çështjen e krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi,”- thotë Stevan Dojcinovic, një hetues i faqes serbe të hetimit Krik,- “Sepse askush nuk e kupton thelbin e problemit: nuk është një problem i korrupsionit të individëve, është një sistem shtetëror. Ky ishte rasti në kohën e Millosheviqit dhe vazhdon me Vuçiqin dhe Gjukanoviçin. Është një operacion shtetëror që është e vështirë të vërtetohet.”

Drejtësia italiane, e cila ka tentuar disa herë të provojë lidhjet mes politikanëve dhe kriminelëve në Ballkan, veçanërisht në rastin e Milo Gjukanoviç, në çështje që lidhen me mafian e saj, ka ‘thyer dhëmbët’ këtu. Drejtësitë e vendeve të tjera nuk kanë shkuar kurrë përtej disa trafikantëve të njohur. Ata që kanë hetuar krimin e organizuar në ish-Jugollavi prej kohësh, besojnë se meqë në këto raste është i përfshirë shërbimi sekret, shërbimet e tjera të inteligjencës në SHBA dhe Europë, i mbrojnë ata në shkëmbim të informacioneve, madje edhe përmes marrëveshjeve politike.

Një galaktikë kaotike

“Perëndimi po tenton që të sjellë Serbinë në Europë, teksa Aleksandër Vuçiç ka lidhje të ngushta me Moskën dhe marrëdhënie shumë të mira me Pekinin. Dhe Milo Gjukanoviç ka qenë historikisht lideri më pro-perëndimor, më pro-BE dhe më pro-NATO në rajon,”- analizon një diplomat europian. “Në emër të gjeopolitikës, ne po e bëjmë një sy qorr për aktivitetet e paligjshme në këto shtete të brishta,”- vijon ai.

Përtej çështjes shumë të errët të përfshirjes së shërbimeve sekrete në çështjet penale, të kuptuarit e ndërlikimeve të bandave nuk është një detyrë e lehtë për hetuesit. 

“Krimi i organizuar ballkanik nuk ka pasur kurrë një Mafia të ngjashme me italianët, me një ‘capo di tutti capi’. Ka qeliza të pavarura, të cilat evoluojnë shpejt, brenda grupeve, që vetë ndahen dhe rikompozohen. Ka rreth 300 grupe kriminale në Ballkan,”- thotë Stevan Dojcinovic. 

“Nuk ka kartel ballkanik, është një bashkëpunim mes bandave, detyra kryesore e të cilëve është transporti i kokainës nga Amerika Latine në Evropë,”- konfirmon Sasha Gjorgjeviç, nga zyra në Beograd e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, një organizatë e pavarur me bazë në Gjenevë.

Në Serbi, pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç dhe Operacionit Sabre, trafikanti serb me origjinë malazeze, Darko Sariç ia kishte dalë në një farë mënyrë të unifikonte këtë galaksi kaotike. Sariç konsiderohej si bosi më i fuqishëm i drogës që këto vende kishi n njohur prej 30 vitesh. Ai ndodhet në burg që prej vitit 2014, është dënuar me 15 vite për trafik droge dhe 8 vite për pastrim parash, por këto akuza janë akoma në apeli. Ndërkohë në bregun e Adriatikut, patriarku i trafikantëve malazezë, Branislav Micunoviç, e ka quajtur veten si coordinator të fuqishëm të klaneve që mbikëqyrin mbërritjen e kokainës. Ai kalon kohën paqësisht në Budva, duke qëndruar në katin e fundit të hotelit-kazino në emër të tij, ‘Splendid’.

Mbretërimi i Darko Sariç ishte një kohë e bekuar për kriminelët, pavarësisht armiqësisë së qeverisë së Beogradit të asaj kohe. 

“Disa grupe ballkanike janë ngritur për dy dekada, nga banditë të vegjël dhe korrierë për t’u bërë shpërndarës të mëdhenj të drogës,”- vëren Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, në raportin e saj “Transacional Tentacles” në vitin 2020. Grupet ballkanike janë bërë lojtarët kryesorë në krimin e organizuar në Evropë, Turqi, Amerikën Latine dhe deri në Afrikën e Jugut dhe Australi. Për kokainën e Amerikës së Jugut, ata veprojnë kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori, si dhe Uruguaji, Peruja e Brazili. Për mbërritjen e drogës, ato janë të pranishme në brigjet spanjolle, italiane, greke, shqiptare dhe malazeze.

Një video ilustron këtë kohë relativisht paqësore para se një luftë bandash të prishë ekuilibrin e brishtë midis organizatave kriminale. Videoja e dasmës e Safet Kalic, një udhëheqës bande malazeze nga Rozaje, tregon të gjithë krerët kriminelë të Ballkanit, përfshirë Darko Sariçin duke ngritur dolli.

Videoja, e postuar në internet në vitin 2010, shkaktoi një skandal sepse tregonte praninë e Zoran Lazoviç, i caktuar nga presidenti Gjukanoviç për të luftuar krimin e organizuar brenda shërbimeve sekrete, dhe të Ljubisha Mijatoviç, që më vonë do bëhej kreu i sigurisë. Presidenti e mbrojti veten duke thënë se ishin në mision për të spiunuar kriminelët, pa mundur të bindë askënd.

Politika, Futbolli dhe Nëntoka e krimit

Pas aferës së Valencias dhe arrestimit (nën presionin amerikan) të Darko Sariç, i cili ishte bërë shumë i fuqishëm, ekuilibri u prish dhe shpërtheu “Lufta e Kotorrit”. Ajo përfshiu klanet Skaljari dhe Kavac, të emëruar pas dy fshatrave në afërsi të vendpushimit bregdetar malazez. Kotorri ka krijuar një vend të veçantë në botën e trafikut të drogës duke u mbështetur tek deti. Një marinari i ri ka pak zgjedhje, një prej tyre është të bëhet trafikant.

Përveç një konflikti midis gangsterëve për paratë e drogës, hipoteza e ekspertëve është se klani Skaljari u ngrit shumë shpejt pas arrestimit të Darko Sariç dhe filloi të ëndërrojë për një pavarësi kundrejt shërbimeve sekrete serbe dhe malazeze. Beogradi dhe Podgorica më pas favorizuan klanin Kavac. Burrat e klanit Kavac janë shumë të afërt me të dy grupet huliganë të lidhur me rrjetin e Vuçiçit në Serbi dhe me policinë sekrete të Gjukanoviç, në Mal të Zi.

Nga ana e Beogradit, është e qartë se policia ka vënë në shënjestër kryesisht klanin Skaljari. Drejtuesi i saj i atëhershëm, Jovan Vukotic, u arrestua në Turqi në vitin 2018 me kërkesë të Serbisë, u ekstradua në Beograd dhe u gjykua për një arsye të parëndësishme (për përdorim të pasaportës së rremë). Anëtarët e klanit Skaljari janë strehuar në të gjithë Evropën, dhe disa janë gjetur dhe vrarë në Spanjë, Gjermani, Austri, Holandë dhe Greqi.

Ndërsa askush nuk e di se kush e vrau Aleksandar Stankoviç, udhëheqësin e Jeniçerëve, i afërt me Klanin Kavaç, zhdukja e tij ka sjellë një rikompozim të botës kriminale në Beograd. Sytë padyshim u kthyen nga Luka Bojovic i fuqishëm, në atë kohë kreu i klanit Zemun dhe i afërt me klanin Skaljari. Që atëherë, Stankovic u zëvendësua nga Veljko Belivuk, i njohur si “Velja Nevolja” (“Velja Problemi”). Bojovic, i burgosur në Spanjë, ia ka besuar udhëheqjen e bandës Filip Koracit, njeriut që ishte ngjitur në nëntokën serbe vitet e fundit.

Nëse pjesëmarrja e qeverisë serbe në këtë luftë bandash është e vështirë për t’u provuar në gjykatë, Jeniçerët, që e kanë ndërruar emrin në ‘Principi’ nga Belivuk, sipas Gavrilo Princip, serbit që vrau dukën austro-hungarez Franz Ferdinand në vitin 1914 në Sarajevë, kanë fituar pushtet që prej mbërritjes në detyrë të Aleksandar Vuçiç në vitin 2012. Jeniçerët u caktuan për sigurinë e Vuçiç gjatë ceremonisë së inaugurimit, ndërsa djali i tij Danilo shfaqet shpesh në publik me anëtarët e bandës.

Një lidhje midis shtetit dhe Principit u krijua, sipas hetimeve gazetareske, nga Dijana Hrkalovic, një ish-oficere e policisë sekrete e promovuar nga Aleksandar Vuçiç si Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, deri në momentin që dha dorëheqjen e saj, në vitin 2019.

Hrkaloviç ishte një mikeshë e ngushtë e liderit të Jeniçerëeve dhe një zyrtari të lartë të xhandarmërisë, Nenad Vuçkoviç, i njohur edhe si ‘Ujku’, një anëtar i klubit të ultrasve të Partizanit dhe një mik i ngushtë i pasuesve të bandës. Hrkaloviç, që e përshkruan presidentin Vuçiç si një ‘njeri që na e kalon të gjithëve për nga gjenialiteti’, ka dhënë dorëherqje dhe që prej atëherë ka qenë subjekt i historive të turpshme.

Në një rast të tillë, në një fermë organike në Vojvodinë u zbulua një fushë me 65 mijë bimë marijuane të fshehur mes domateve, kastravecave dhe qepëve, një laborator droge dhe 600 kg drogë, përfshirë këtu armë dhe pajisje të mbikëqyrjes të teknologjisë së lartë. Pronari i fermës, që vizitohej rregullisht nga zyrtarët qeveritarë, kishte një distinktiv fals policie dhe targa policie, të ofruara nga njerëzit që punonin për Dijana Hrkalovic. Një tjetër rast ishte kur u zbulua se ‘Ujku’ kishte përdorur poligonët e policisë për t’u stërvitur me anëtarët e bandës si dhe me Novak Nediç, sekretarin e përgjithshëm të qeverisë së Vuçiç.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e njeh mirë këtë botë që evoluon midis politikës, futbollit dhe botës së krimit. Si i ri, ai ishte një mbështetës i Yllit të Kuq në kohën e Arkanit. I angazhuar në politikë përkrah Vojislav Sheshelit, udhëheqësit të ekstremit të djathtë serb dhe një milicie paraushtarake e ngjashme me atë të Arkanit, Vuçiç ishte ministër i Millosheviçit. Sot, ai duket se po përdor ultrasit e Partizanit, klubi që tradicionalisht është i afërt me policinë sekrete sepse i përket shtetit.

Megjithatë, dy zhvillime kanë ndodhur këtë vit në botën kriminale serbo-malazeze. Në Beograd, policia ka arrestuar Veljko Belivuk dhe rreth 20 anëtarë të Jeniçerëve në shkurt, duke habitur këdo. Drejtësia e akuzon ‘Veljo Problemin’ për vrasje, rrëmbim, zhvatje dhe trafik droge. Që prej arrestimit të tij, mediat pranë qeverisë kanë botuar dëshmi të familjeve të të të zhdukurve të bandës. “Nuk dihet se përse shteti vendosi t’i japë fund kësaj bande pas vitesh të tëra mbrojtje,”- komenton Stevan Dojçinoviç. Përveç zbulimit të një vendi ekzekutimi në një shtëpi në rrethinat e Beogradit, një hipotezë sipas një eksperti është se grupi i Belivuk, që ishte në shërbim të shtetit, ka shkuar shumë larg duke u vënë gjoba biznesmenëve pranë qeverisë.

Ilaçi vdekjeprurës i “Doktor Vdekjes”

Në Mal të Zi, Slobodan Kascelan, kreu i klanit Kavac, u arrestua në prill. Atje, ky ndryshim i situatës, ka një shpjegim racional: partia e presidentit Gjukanoviç ka humbur zgjedhjet legjislative të vitit 2020, dinosauri i politikës malazeze, edhe pse ruan ndikimin e tij në policinë sekrete dhe në gjyqësor, e ka gjetur veten përballë një qeverie armiqësore ndaj tij.

“Shteti nuk kontrollon më krimin e organizuar. Gjukanoviç nuk ka më kompetenca të plota,”- thotë Vanja Caloviç Markociç, drejtuese e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Kascelan u arrestua me urdhër të Dritan Abazovic, ish-zëvendëskryeministrit që koordinon shërbimet e sigurisë. Abazoviçi i ri dhe kurajoz zbuloi se, pas ndryshimit të qeverisë, klani i Kavacit i ofroi atij, nëpërmjet të afërmve të patriarkut të trafikantëve, Branislav Micunovic, ta takonte. Pas refuzimit të tij, ai mori një mesazh: “Do të shihemi, në një mënyrë ose në një tjetër …”

Menjëherë më pas u zbulua një tentativë vrasje nga bisedat e përgjuara telefonike. Plani ishte që të përdorej një snajper, si në rastin e Zoran Xhinxhiç thuajse dy dekada më parë. Dritan Abazoviç thotë se ai është gati që të paguajë çdo çmim për të mposhtur krimin e organizuar.

Ai ka shkarkuar Zoran Lazoviç, njeriun që dukej në dasmën e Klanit Kaliç, i cili ishte përgjegjës për luftën ndaj krimit të organizuar në polici. Ai konsiderohej prej kohësh si lidhja mes shtetit dhe krimit të organizuar.

Marrëdhëniet midis njerëzve të pushtetit dhe botës së krimit ndonjëherë marrin një kthesë shumë të çuditshme. Një histori e vjetër akoma i bën beogradasit të qeshin me ironi. 20 vjet më parë, një kriminel i vogël, Veselin Bozoviç u sulmua me kallashnikov në Beograd. Ai ishte akoma gjallë kur mbërriti në spital. Edhe gruaja e tij dhe kalimtarë u qëlluan nga plumbat, por mbijetuan. Një mrekulli.

Por kjo pa marrë parasysh doktor Zlatibor Loncar, i cili ishte pushim atë ditë, por u shfaq në spital në dhomën e urgjencave. Një orë më vonë, Bozoviç vdiq. Një hetim policor zbuloi se doktori i kishte injektuar një helm vdekjeprurës. Dhjetë ditë më vonë, mjeku mori një apartament si shpërblim. Ai i mohoi akuzat dhe nuk u hetua kurrë pasi nuk kishte prova.

Doktor Loncar në të vërtetë punonte për klanin Zemun, në atë kohë banda më e fuqishme në Serbi. Pastaj njeriu të cilin tabloidët serbë e quajtën “Doktor Vdekja” u bë një ndjekës besnik i Presidentit Aleksandër Vuçiç. Sot, ai është ministër i Shëndetësisë shkruan Le Monde. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!