Lufta kibernetike, Trump ndryshon strategjinë e Obamës

schedule09:20 - 22 Shtator, 2018

schedule 09:20 - 22 Shtator, 2018

Administrata amerikane ka zgjedhur kundërsulmin për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike të vendeve rivale. Në prag të zgjedhjeve të nëntorit, presidenti Trump ka firmosur një direktivë të re që ndryshon nga ajo e Barak Obamas.

Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një strategji të re për mbrojtjen kibernetike, që parashikon rritjen e operacioneve ofensive. Në këtë mënyrë Trump ka ndryshuar rrënjësisht strategjinë e parardhësit të tij Barack Obama. “Do të bëjmë shumë gjëra në aspektin ofensiv. Është mirë që kundërshtarët tanë ta dinë”, ka deklaruar këshilltari për sigurinë kombëtare John Bolton. Lajmi vjen në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet afatmesme për Kongresin e kur druhen ndërhyrje të huaja kibernetike, si ajo ruse e vitit 2016. “Kemi autorizuar operacione ofensive që do të ndërmerren në bazë të një direktive të re presidenciale”, ka sqaruar Bolton.

Këshilltari i afërt i Trump ka nënvizuar se kjo nismë është në interes të Shteteve të Bashkuara jo për të depërtuar më shumë në hapësirën kibernetike, por për të krijuar barriera mbrojtëse dhe për t’u treguar vendeve rivale se sulmet e tyre ndaj Amerikës nuk do të kalojnë pa kosto. Strategjia e re u ofron agjencive federale udhëzime të reja për të mbrojtur vetëveten dhe të dhënat private të amerikanëve. Veç Rusisë, që akuzohet për ndërhyrje në zgjedhjet e 2016-s, qeveria amerikane konsideron edhe Kinën përgjegjëse për një seri agresionesh informatike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!