Lufta Izrael-Hamas, Biden: Në kontakt me udhëheqësit për zbatimin e “çdo aspekti” të marrëveshjes për pengjet

schedule07:15 - 25 Nëntor, 2023

schedule 07:15 - 25 Nëntor, 2023

Ndërsa hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se lirimi i negociuar i pengjeve nga Hamasi dhe lirimi i të burgosurve nga Izraeli ishte “rezultat i diplomacisë së zgjeruar të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti tha se ai dhe ekipi i tij kanë punuar për javë të tëra për një pauzë në luftime, duke kërkuar lejimin e ndihmave humanitare në Gazë dhe lirimin e të rrëmbyerve nga Hamasi në Izrael më 7 tetor.

Presidenti amerikan falenderoi Katarin, Egjiptin dhe Izraelin për marrëveshjen që mundësoi lirimin e disa prej personave që u morën peng nga Hamasi.
Presidenti Biden tha se lirimi i pengjeve është vetëm fillimi dhe se deri më tani procesi ka shkuar mirë.

“Jam angazhuar me ekipin tim ndërsa fillojmë me ditët e para të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Presidenti Biden në një fjalim të shkurtër të mbajtur nga Nantucket, të shtetit Masaçusets.

Presidenti Biden tha se duhet të jemi mirënjohës për familjet që tashmë janë ribashkuar me njerëzit e tyre të dashur, në kuadrin e fazës së parë të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit.

Presidenti Biden tha se pret që në ditët në vazhdim, dhjetëra persona të tjerë që mbahen peng do t’u rikthehen familjeve të tyre. Ai u zotua për dyfishimin e përpjekjeve për të arritur edhe lirimin e tyre.

“Të gjitha këto pengje kanë kaluar një situatë të tmerrshme dhe ky është fillimi i një rrugëtimi drejt shërimit të tyre. Arushët që mirëpresin këta fëmijë në spital, shërbejnë si një kujtesë për traumën që kanë kaluar këta fëmijë në një moshë shumë të re”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Biden tha se Hamasi e bëri sulmin terrorist pikërisht sepse i frikësohet bashkëjetesës në paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

“Ndërsa i hedhim sytë drejt së ardhmes, duhet t’i japim fund ciklit të dhunës në Lindjen e Mesme. Duhet ta shtojmë vendosmërinë tonë për një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë një ditë krah për krah, sipas një zgjidhjeje me dy shtete, me nivel të barabartë lirie dhe dinjiteti”, tha Presidenti Biden./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!