Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Lufta e humbur ndez Armeninë, kryeministri akuzon ushtrinë për grusht shteti

schedule15:54 - 26 Shkurt, 2021

schedule 15:54 - 26 Shkurt, 2021

Janë orë tensioni në Armeni, ish republikën sovjetike ende të plagosur nga konflikti më i fundit në Nagorno-Karabakh. Rrugët e vendit janë pushtuar nga dy lloje manifestuesish. Në sheshin e Republikës mbështetësit e kryeministrit armen Nikol Pashinyan i cili denoncoi një grusht shteti nga ana e ushtrisë, dhe në sheshin e Lirisë mbështetësit e opozitës të cilët prej muajsh kërkojnë dorëheqjen e tij.

Heroi i Revolucionit të mëndafshtë, ish gazetar dhe opozitar i burgosur mori pushtetin në pranverën e 2018-ës, akuzohet se ka tradhtuar vendin që kur në 10 nëntor të një viti më parë firmosi armëpushimin me Azerbajxhanin të ndërmjetësuar nga Moska pas 44 ditësh konflikt dhe 6 mijë viktimash.

Marrëveshja parashikonte që Baku të merrte territore të gjëra nga rajoni i pretenduar mes palëve, një enklavë e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por nën kontrollin e Armenisë që nga viti 1994. Një humbje që u përjetua si një poshtërim kombëtar.

Ai që provokoi krizën e fundit ishte vendimi i Pashinian për të pezulluar nga posti i tij zv/ kreun e Ushtrisë, që sipas tij ishte fajtor për turpërimin e forcave të armatosura. Madje e kishte cilësuar si të keqinformuar pasi kishte vënë në dyshim besueshmërinë e raketave ruse Iskander gjatë konfliktit.

Nga ana e saj ushtria kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe ekzekutivit me një letër të firmosur nga kreu i ushtrisë, zëvendësi dhe më shumë se 30 komandantë të lartë. Akuza është e qartë: Për shumë kohë kemi toleruar sulmet nga ana e qeverisë, por çdo gjë ka një kufi. Kryeministri dhe qeveria nuk janë më në gjendje për të marrë vendime të arsyeshme.”

Por kryeministri nuk u tërhoq, përkundrazi urdhëroi pezullimin nga posti dhe për kreun e ushtrisë, gjeneralin Onik Gasparyan. Por ky vendim nuk u pranua nga presidenti i vendit. Dhe pasi denoncoi në Facebook me anë të një video, se kishte pasur një përpjekje për grusht shteti, dhe pse nuk kishte pasur asnjë grumbullim apo lëvizje ushtarësh, ai iu kërkoi mbështetësve të tij që të mblidheshin në shesh.

Përpara 20 mijë mbështetësve të tij ai u shpreh se e kishte menduar shpesh dorëheqjen që pas përfundimit të konfliktit: Por u bëra kryeministër jo se e zgjodha vetë por sepse vendosi populli im. Populli duhet të kërkojë dorëheqjen ose përndryshe më qëlloni.

Ai shtoi se mbështet idenë e dialogut por gjithashtu kërcënoi se do të arrestonte personat që do të shkonin përtej deklaratave politike

Në të njëjtën kohë 10 mijë manifestues të opozitës e akuzonin si tradhtar dhe kërkonin dorëheqjen e tij si mundësinë e vetme për të mos shtyrë vendin drejt një lufte civile. Në mbrëmje disa manifestues vendosën tenda dhe një barrikadë para ndërtesës së parlamentit duke kërcënuar se do të qëndronin aty deri sa kryeministri të largohej nga vendi.

Një krizë që Rusia dhe Turqia që kanë mbështetur respektivisht Armeninë dhe Azerbajxhanin gjatë konfliktit të Nagorno Karabak, po e ndjekin me shumë shqetësim. Presidenti rus Vladimir Putin, në një telefonatë me kryeministrin armen, kërkoi që të ruhej qetësia dhe rendi në vend, si dhe të gjendej një zgjidhje për situatën në kuadrin ligjor. Ndërsa ministri i jashtëm turk dënoi me forcë përpjekjen për grusht shteti.

Dhe Bashkimi Europian ka ndërhyrë me apelin për të shmangur cdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë një përshkallëzim të situatës, ndërsa ushtrisë i kërkohet të qëndrojë neutrale për sa i përket çështjeve politike. Ndërsa departamenti amerikan i shtetit i kërkoi ushtrisë armene të mos ndërhynte në çështjet politike të vendit të trazuar nga kriza dhe revolta që nga pavarësia nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!